Dy javë nga nisja e luftës në Ukrainë

Janë bërë 14 ditë prej kur Rusia ka nisur sulmin ushtarak mbi Ukrainën.

Së fundmi është presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, që ka zhvilluar një bisedë me kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz.

Përpjekjet diplomatike që synojnë përfundimin e luftës ka qenë kryetema e bisedës në mes tyre.

19:13 – Ku kanë shkuar refugjatët ukrainas?

Dy javë pas fillimi të agresionit rus ndaj Ukrainës, qindra mijëra ukrainas janë detyruar të lënë vendin e tyre, duke kërkuar strehim në vende fqinje apo ato Perëndimore.

Me trenat e mbushur plotë dhe shumë të tjerë që presin për t’u larguar, këto janë vendet ku kanë shkuar refugjatët nga Ukraina, bazuar në të dhënat nga Komisionari i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët.

Poloni

Aleati i ngushtë i Ukrainës, me të cilin ajo ndan një kufi prej 310 miljesh, ka pranuar 1,204,403 refugjatë deri të martën.

Qeveria ka njoftuar planet për të krijuar një fond prej mbi 1 miliard euro për njerëzit që ikin nga Ukraina, duke përfshirë sigurimin e një pagese të njëhershme prej 60 eurosh për çdo refugjat.

Hungari

Një vend që shtatë vjet më parë ndërtoi gardhe me tela me gjemba dhe vendosi qen sulmues për të mos lejuar refugjatët të hynin, ka strehuar 191,348 ukrainas deri të hënën.

Mediat lokale pretendojnë se kryeministri, Viktor Orbán, ka zbutur retorikën e tij të gjatë kundër refugjatëve para zgjedhjeve të prillit.

Rumani

Një tjetër vend kufitar, ka marrë rreth 143,000 refugjatë që nga e hëna.

Ministri i Jashtëm, Bogdan Aurescu, ka thënë se Rumania është e hapur për të gjithë ata në nevojë dhe se refugjatëve do t’u sigurohet çdo gjë që u nevojitet që ata të ndihen të sigurt.

Sllovaki

Sllovakia, një vend tjetër fqinj, ka pranuar 140,745 refugjatë ukrainas deri të hënën, raporton Guardian, transmeton Klankosova.tv.

Republikë Çeke

Numri i refugjatëve që kanë mbërritur në vend është dyfishuar që nga e premtja, tha Ministri i Brendshëm, Vit Rakušan, me më shumë se 100,000 tani në Republikën Çeke, shumica e të cilëve kanë mbërritur me tren dhe makinë.

Moldavi

Një nga vendet më të varfra në Evropë, i cili mbështetet shumë në gazin rus, ka pranuar 82,762 refugjatë nga Ukraina deri të dielën.

Qeveria ka shprehur shqetësime për mundësinë e pushtimit nga Rusia dhe po kërkon të anëtarësohet në BE.

Gjermani

Rreth 30,000 refugjatë ukrainas kanë mbërritur deri më tani, shumica prej të cilëve vijnë përmes Polonisë, sipas raporteve të së hënës.

Ministrja e Brendshme, Nancy Faeser, tha se Gjermania do të merrte refugjatët që ikin nga lufta në Ukrainë, pavarësisht nga kombësia e tyre.

Francë

Rreth 2,500 ukrainas kishin mbërritur në Francë, me disa që më pas kërkonin të shkonin në Spanjë dhe Portugali, si dhe në Mbretërinë e Bashkuar, tha Ministri i Brendshëm, Gérald Darmanin.

Irlandë

Ministri i Qeverisë irlandeze, Roderic O’Gorman, tregoi të martën se 2,200 ukrainas kishin mbërritur në vend.

Një ditë pas pushtimit të Rusisë, qeveria irlandeze hoqi të gjitha kufizimet e vizave. Qeveria udhëzoi gjithashtu linjat ajrore që të pranonin ukrainasit që nuk kishin pasaporta, por kishin një formë tjetër të identitetit, si leje ngasje ose certifikatë lindjeje.

Mbretëri e Bashkuar

Zyra e Brendshme tha se kishte dhënë viza për 300 refugjatë ukrainas sipas skemës së saj familjare. 17,700 aplikime për t’u bashkuar me të afërmit po shqyrtoheshin gjithashtu.

Qeveria është nën presion për të përshpejtuar dhe thjeshtuar procesin e vizave. Aktualisht, aplikantët duhet të dorëzojnë të dhënat biometrike dhe të plotësojnë formularë kompleks.

17: 31 – Ushtarët britanikë që shkojnë për të luftuar në Ukrainë do të ndiqen penalisht

Ushtarët britanikë që shkojnë për të luftuar në Ukrainë do të ndiqen penalisht, pasi kështu e shkelin ligjin.

Sekretarit të Mbrojtjes në Britani, Ben Wallace, iu kërkua të sqaronte pozicionin e qeverisë për ish-pjesëtarët e forcave të armatosura që shkonin për të luftuar në Ukrainë, pas raporteve që disa e kishin bërë këtë.

Ka pasur gjithashtu raportime se disa ushtarë në shërbim kanë shkuar në kufirin polak, me synimin për t’u bashkuar me ukrainasit, ndërsa ata luftojnë kundër Rusisë, shkruan Skynews, transmeton Klankosova.tv.

Duke folur në Commons, të mërkurën pasdite, Wallace tha: “Pozicioni i qeverisë është, nëse jeni një anëtar në shërbim i forcave të armatosura, do të shkelni ligjin”.

17:15 – E pamundur që BE-ja të ndërpresë plotësisht gazin dhe naftën ruse, thotë kryeministri holandez

Kryeministri i Holandës, Mark Rutte, ka thënë se nuk është e mundur që Bashkimi Evropian të ndërpresë plotësisht furnizimin e tyre me naftë dhe gaz nga Rusia.

“Ne duhet të diskutojmë dobësitë tona në lidhje me varësinë tonë nga nafta dhe gazi rus. Unë nuk do të kërkoj për të ndërprerë furnizimin tonë me naftë dhe gaz nga Rusia”, tha Rutte në një konferencë të përbashkët shtypi me homologun e tij francez në Paris.

Rutte tha se BE-ja ka nevojë për furnizimin rus, duke thënë se kjo është “e vërtetë e pakëndshme”.

Të martën, BE-ja njoftoi planet e saj për të ulur importet e gazit rus me dy të tretat këtë vit dhe për të eliminuar nevojën e saj të përgjithshme për naftë dhe gaz rus para vitit 2030.

Rutte shtoi se sanksionet e bllokut kundër Rusisë synojnë udhëheqësit rusë dhe jo njerëzit, raporton CNN, transmeton Klankosova.tv.