Dy gjeneralët e njohur: Besojmë se Ukraina do e fitojë luftën me Rusinë

Luftimet në Ukrainë po vazhdojnë, ndërsa strategjia e Vladimir Pitinit është kriminale. Ai po rrethon qytetet si në mesjetë, duke bërë që banorët të vuajnë për nevojat më themelore.

Megjithatë, forcat ukrainase janë duke luftuar dhe ajo që ishte menduar se do ishte një fitore blic e Rusisë nuk duket më e tillë. Madje dy gjeneralë të njohur mendojnë se Ukraina mund ta fitojë luftën.

I pari është ish-gjenerali i NATO-s, Egon Ramms, i cili ka folur për median gjermane.

“Jam i bindur se populli dhe forcat e armatosura të Ukrainës mund ta fitojnë këtë luftë. Besoj se Rusia e ka keqvlerësuar plotësisht vullnetin për të luftuar nga populli dhe ushtria ukrainase”.

Sipas tij është një histori suksesi që vetën në dhjetë ditë, Rusia ka humbur 280 tanke dhe 60 bombardues luftarakë- aq sa ka humbur në Afganistan në 10 vite.

“Lufta do të vazhdojë nga populli i Ukrainës edhe nëse forcat ushtarake nuk do jenë më të përfshira në operacione luftarake,” thotë gjenerali, duke parashikuar luftë partizane.

Por edhe një gjeneral britanik ndan mendimin se Rusia mund ta humbasë luftën. Admirali Sir Tony Radakin tha se trupat ruse janë në një rrëmujë të vërtetë dhe pushtimi nuk po shkon aspak mirë për ta.

“Mendoj se po shohim një rezistencë të jashtëzakonshme nga Ukraina, si nga forcat e saj të armatosura, ashtu edhe nga njerëzit e saj. Po ashtu po shohim unitetin e të gjithë globit, që po ushtron presion ndaj Rusisë”.

“Rusia po vuan, Rusia është një fuqi e izoluar. Ajo është më pak e fuqishme se sa ishte dhjetë ditë më parë. Disa nga elementët kryesorë të forcave ruse janë shkatërruar nga Ukraina. Po ashtu po shohim dështime bazike përsa i përket mirëmbajtjes dhe logjistikes. Rusia nuk ka operuar në këtë shkallë që nga Lufta e Dytë Botërore dhe kjo është tepër komplekse dhe e vështirë”.