Rasti “Dvojnik”, gjegjësisht afera me pasaportat e dyfishta, ishte një nga temat në të cilën debatuan të ftuarit në emisionin “Klik Plus”, politologu Filip Petrovski dhe analisti Nenad Jovanoviq.
“Në opinion publik të gjithë bëjnë thirrje për nder dhe moral, edhe pse nuk ka. Të rikujtoj se Aleksandar Nikollovski… me ato incizime doli se Mile Janakieski dhe shefi i tij duan të ndodhë një aksident. Një njeri i cili ka qenë përfshirë në situata të tilla në regjimin e kaluar, bën thirrje për “montim” të aksidenteve, kurse tani bën thirrje për moral…”, tha Nenad Jovanoviq.
Petrovski tha se ky rast përdoret për përplasje politike mes LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së. Kjo aferë është një problem serioz, por përdoret për qëllime politike, shton ai.
“Ajo që më intereson mua është përfshirja e politikës dhe përse opinionit publik i shërbehen vetëm informacione të pjesshme? Pse nuk publikohet p.sh. kur është lëshuar pasaporta e parë, kush ka qenë ministër, kush ka qenë kryeshef etj… Duhet t’i dimë të gjitha detajet – pse, si, çka? Po përballemi me plot dezinformata, kurse afera kryesisht shërben për përplasje mes dy partive politike. Unë dëgjova se qëllimisht i është dhënë Mickoskit që të shihet se çka do të zbulojë ai”, tha Petovski.
Sipas Jovanoviqit, nëse opozita është serioze atëherë këto prova duhet t’i çojë në Prokurori, e jo t’i plasojë në opinion. Në rastin “Dvojnik” janë arrestuar rreth 10 zyrtarë policorë që ishin pjesë e zinxhirit për falsifikim të pasaportave dhe dokumenteve personale. Ky operacion i madh i MPB-së është realizuar në bashkë-koordinim me Zyrën për Hetime të Ambasadës Amerikane dhe Interpolin. Para këtij aksioni, i cili ende po vazhdon, ka pasur hetim që ka zgjatur më shumë se një vit, periudhë brenda së cilës janë dokumentuar të gjitha lëvizjet e grupit kriminal.