Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, ka vlerësuar se raporti i fundit i Komisionit Evropian për Maqedoninë e Veriut konfirmon përparimin e vendit në politikat ekonomike dhe zbatimin e reformave.
Sipas Durmishit, vlerësimet pozitive nga Brukseli dëshmojnë angazhimin e Qeverisë për përmirësimin e klimës ekonomike, forcimin e konkurrueshmërisë dhe krijimin e kushteve më të favorshme për zhvillimin e biznesit.
Raporti i Komisionit Evropian evidenton përparim në zbatimin e Agjendës së Reformave dhe në shfrytëzimin e mekanizmave financiarë të Bashkimit Evropian, në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.
Pavarësisht vlerësimeve pozitive në disa fusha ekonomike, Komisioni Evropian kërkon reforma të mëtejshme, veçanërisht në sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe përmirësimin e funksionimit të institucioneve.





