Duket se Benzema ka vendosur të kthehet në Evropë?

Mediat saudite bënë të ditur se Karim Benzema është larguar nga Arabia Saudite.

Sulmuesi francez nuk ishte në seancën stërvitore të Al Ittihad të premten dhe ai përmendi arsyet personale si arsyen e largimit nga klubi.

Benzema u largua nga Arabia dy ditë pasi çaktivizoi profilin e tij në Instagram, ku kishte më shumë se 76 milionë ndjekës.

Francezi është nën kritikat e tifozëve, por edhe të mediave, të cilat e shpallën fajtorin kryesor për rezultatet e dobëta të Al Ittihad. Ekipi i tij, një nga katër në të cilat qeveria saudite ka investuar para të mëdha, është 25 pikë prapa liderëve Al Hilal.

Benzema ka marrë shumë kritika në rrjetet sociale dhe për këtë dyshohet se ka çaktivizuar Instagramin.

Megjithatë, ende nuk dihet saktësisht pse u largua nga Arabia Saudite dhe as kur synon të rikthehet në klub, i cili e paguan 100 milionë euro në sezon.

Përveç kësaj, ai merr një bonus prej 20 milionë eurosh si ambasador i ofertës së Arabisë Saudite për Kupën e Botës në vitin 2030.

Sot në të gjitha mediat saudite u shkrua shumë për largimin e Benzemas dhe u publikua edhe reagimi i shkurtër i Al Ittihad. Klubi pretendon se Benzemas i është dhënë tre ditë pushim për shkak të “rrethanave të veçanta”.

Nga ana tjetër, disa media spanjolle theksojnë se Benzema ka vendosur të rikthehet në Evropë dhe tani po bën gjithçka që klubi t’i ndërpresë kontratën. Ende nuk ka asnjë konfirmim apo mohim zyrtar.