Duka: E fituam luftën me Kovid-19 dhe me sukses e zhvilluam skriningun

Kryetari i Komunës së Dibrës, Hekuran Duka, në pres konferencën e sotme tha se është fituar lufta me Kovid-19, por jo edhe beteja, për çka apeloi deri te qytetarët që edhe më tej t’i respektojnë masat dhe rekomandimet.

“Gjendja me pandeminë Kovid-19 është e qëndrueshme, gjë që dëshmohet qartë nga të dhënat se në komunat Dibër dhe Qendër Zhupa nuk ka më të infektuar. Në vetizolim është vetëm një person që ka qenë më parë në karantinë shtetërore. Kjo do të thotë se lufta është fituar, por, jo edhe beteja me këtë armik të padukshëm. Kjo është arsyeja pse unë kërkoj nga qytetarët, si më parë, t’i respektojnë vazhdimisht masat dhe rekomandimet e autoriteteve”, porositi ai.

Duka, i cili gjithashtu kryeson me Shtabin operativ të Komunës, informoi se me sukses ka përfunduar skriningu për imunitet te popullata.

“Nga ana e 17 mjekëve amë me sukses ka përfunduar skriningu për imunitet të popullatës në dy komuna. Janë kryer 3434 teste dhe vetëm tek 35 persona rezultati ishte pozitiv, gjegjësisht ata zhvilluan imunitet. Nga ky numër, 18 janë persona tek të cilët është diagnostikuar sëmundja, ndërsa 17 janë persona që e kanë kaluar sëmundjen pa asnjë simptomë, ndërsa janë anëtarë ose të afërm të të sëmurëve”, informoi Duka.

Në Dibër më shumë se njëzet ditë nuk ka të infektuar të rinj me Kovid-19, ndërsa rasti i fundit i personit të infektuar u fut në listën e të shëruarve të premten, më 1 maj. Numri i përgjithshëm i të infektuarve është 51. Nga këta, 47 janë shëruar dhe katër kanë vdekur.

Gjendja e sigurisë gjatë fundjavës së zgjatur, shtoi Duka, u karakterizua me një tentativë për grabitje dhe tetë mosrespektime të vendimit për ndalesën e lëvizjes, nuk ka shkelje të rendit dhe qetësisë publike, e as aksidente trafiku.