Italia pas 2 muaj “luftë” me koronavirusin del gradualisht nga karantina

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von Der Leyen ka prezantuar një nismë të liderëve evropian të udhëhequr nga Brukseli, për t’i dhënë mbështetje një plani për mbledhjen e 7.5 miliardë eurove për gjetjen e vaksinës për COVID-19. Britania do të angazhohet me 388 milion paund për kërkimet e vaksinës, testimit dhe trajtimit, informacion ky i dhënë nga Kryeministri Boris Xhohnson. Konferenca do të bashkë-drejtohet nga Britania e Madhe, Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia, Norvegjia, Arabia Saudite dhe Komisioni Evropian.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, ka thënë se ekziston “një numër i konsiderueshëm i provave” që dëshmojnë se koronavirusi i ri doli nga një laborator kinez. Si Pompeo, ashtu edhe presidenti i SHBA-së, Donald Trump, kanë kritikuar ashpër Kinën, duke akuzuar për mungesë të transparencës.

Kombet e Bashkuara kanë thënë ndërkohë se kthimi në jetën normale do të jetë i mundur vetëm nëse zbulohet një vaksinë. Dhjetëra projekte kërkimi kanë nisur për gjetjen e vaksinës në disa vende të botës. Ndërkohë që rrjedhin përpjekjet për gjetjen e vaksinës, në Rusi gjatë 25 orëve të fundit kanë rezultuar të infektuar 10.581 persona.

Gjermania raportoi numrin më të ulët të vdekjeve të koronavirusit në një periudhë 24 orëshe që nga 25 marsi. Numri i infeksioneve të reja në Gjermani gjithashtu mbetet relativisht i ulët, me 679 raste të reja.

Disa shtete tashmë kanë filluar me zbutjen e masave, në mesin e tyre bën pjesë edhe Kina, në qytetin e së cilës, Vuhan, ishte edhe pikënisja e virusit. Nxënësit e vitit të fundit në shkollat e mesme të qytetit kinez, Vuhan, do të kthehen në shkollë këtë të mërkurë.

Lehtësim masash po bën edhe Italia, e cila renditet e treta për nga numri I të infektuarve. Pas më shumë se dy muajsh izolim të detyrueshëm, italianët po lejohen të rifillojnë disa aktivitete, të vizitojnë të afërmit, të shëtisin në parqet e hapura dhe të marrin ushqime nga restorantet. Rreth 4.4 milionë njerëz i janë drejtuar këtë mëngjes vendeve të tyre të punës.

Shqipëria informon për vetëm 8 të prekur nga virusi korona gjatë 24 orëve të fundit. Që nga fillimi i epidemisë deri më sot 803 qytetarë janë konfirmuar pozitivë në të gjithë vendin dhe aktualisht 68 % e tyre janë shëruar.

Në Kosovë numri i përgjithshëm i të infektuarve që nga shpallja e pandemisë ka mbërritur në 851. Instituti i Shëndetit Publik ka porositur të gjithë prindërit që të vaksinojnë të gjithë fëmijët sipas kalendarit të rregullt që të mbrohen nga sëmundjet ngjitëse.