Dua Lipa zgjidh çështjen gjyqësore, grupi që e akuzoi për vjedhje të këngës “Levitating” tërheq padinë

Një grup i zhanrit “reggae” në Florida ka vendosur të heqë dorë nga një çështje për të drejtat e autorit që akuzon Dua Lipën se ka kopjuar këngën e saj të suksesshme “Levitating” nga kënga e tyre e mëparshme, dy ditë pasi një gjykatës federal hodhi dyshime serioze mbi pretendimet e padisë.

Grupi, i quajtur Artikal Sound System, e paditi yllin shqiptar me famë globale vitin e kaluar për akuzat se kënga e saj e vitit 2020 – e cila kaloi 77 javë duke qëndruar në top-listën e Billboard Hot 100 – e huazoi bazën e saj nga melodia e tyre më pak e njohur e vitit 2017, me titull “Live Your Life”, shkruan BillBoard.

Por në një dosje të paraqitur të mërkurën (7 qershor), avokatët e Artikal Sound System dhe Lipa paraqitën një mocion të përbashkët, duke i kërkuar gjykatësit të pushojë përfundimisht çështjen. Nuk kishte asnjë tregues se Dua Lipa kishte pranuar të paguante ndonjë para ose të ndryshonte emrat e autorëve të këngës së saj.

Deklarata erdhi vetëm dy ditë pasi gjykatësja e qarkut të ShBA-së, Sunshine S. Sykes vendosi fuqishëm në favor të Duas, duke thënë se nuk kishte asnjë shenjë se dikush i përfshirë në krijimin e hitit “Levitating” kishte pasur “akses” në këngën e mëparshme – një kërkesë kryesore në çdo padi për të drejtën e autorit.

Ai vendim e hodhi poshtë teknikisht çështjen kundër Lipës, por gjyqtarja Sykes i dha Artikal Sound System një mundësi tjetër për të riparuar një version të përditësuar të çështjes brenda dy javësh. Në vend të kësaj, grupi duket se ka vendosur të mos ndjekë një proces gjyqësor të mëtejshëm kundër Duas dhe bashkë-autorëve të tjerë të këngës “Levitating”.

Në një deklaratë për Billboard të mërkurën në mbrëmje, avokatja e Dua Lipës, Christine Lepera konfirmoi se grupi kishte zgjedhur të largohej nga procesi gjyqësor në mënyrë të njëanshme dhe se nuk ishte arritur asnjë zgjidhje.

“Pas vendimit të gjykatës për rrëzimin e ankesës së tyre, paditësit zgjodhën vullnetarisht të ndërpresin çështjen me paragjykime, pa asnjë konsideratë nga të pandehurit, të cilët ishin të përgatitur të mbronin fuqishëm çdo vazhdim të çështjes”, tha Lepera, një avokate në studion ligjore “Mitchell Silberberg & Knupp”.

Vendimi i Artikal Sound System për të hequr dorë nga padia i jep fund një prej dy rasteve të profilit të lartë të ngritura kundër Dua Lipës vitin e kaluar për këngën “Levitating”, e cila arriti kulmin në vendin e dytë në Billboard Hot 100 përpara se të siguronte nderin e të qenit kryesuesja më jetëgjatë në këtë top-listë.

Rasti tjetër, i paraqitur nga kantautorët L. Russell Brown dhe Sandy Linzer, pretendon se Dua Lipa e përvetësoi melodinë në këngën e saj nga kënga e tyre e vitit 1979 me titull “Wiggle and Giggle All Night” dhe kënga e tyre e vitit 1980 me titull “Don Diablo”. Kjo çështje është ende në pritje, por përballet me kundër-argumente të ngjashme nga avokatët e Dua Lipës për mungesën e “qasjes”.

Dua Lipa (Foto: Theo Wargo/Getty Images for Karl Lagerfeld)

Artikal Sound System është një grup i zhanrit ‘reggae’ me bazë në Florida të Jugut, i themeluar në vitin 2012 si duo përpara se të shtonte më vonë muzikantin dhe vokalistin Logan Rex. Grupi publikoi këngën “Live Your Life” në mini-albumin (EP) e tyre të vitit 2017, të titulluar “Smoke and Mirrors”.

Në padinë e tyre të marsit, grupi tha se këngët tingëllonin aq të ngjashme sa që ishte “shumë e pamundur që ‘Levitating’ të ishte krijuar në mënyrë të pavarur”. Padia përmendi gjithashtu shtëpinë diskografike të artistes, Warner Records, si dhe të tjerë që ndihmuan në krijimin e këngës së suksesshme.

Në nëntor, avokatët e Lipës argumentuan se Artikal Sound System nuk kishte asnjë provë që Lipa ose shkrimtarët e tjerë kishin dëgjuar ndonjëherë “Live Your Life” përpara se të kompozonin hitin “Levitating”. Ata i quajtën akuzat “spekulative”, “të paqarta” dhe të mbështetura nga pak prova reale.

Dua Lipa (Foto: Gotham/GC Images)

Artikal Sound System ofroi një teori komplekse se si mund të kishte ndodhur një “qasje” e tillë, duke deklaruar se një nga bashkë-autorët e Dua Lipës kishte punuar më parë me një grua që dyshohet se kishte mësuar të luante në kitarë nga kunati i një anëtari të grupit.

Por në vendimin e saj të hënën, gjyqtarja Sykes e hodhi poshtë kategorikisht këtë argument: “Këto lidhje të zbutura, të cilat kanë pak lidhje me njërën nga dy kompozimet muzikore në fjalë këtu, gjithashtu nuk sugjerojnë një gjasë të arsyeshme që të pandehurit të kenë hasur në të vërtetë këngën e paditësit”.

Dua Lipa (Foto: Stefania D’Alessandro/WireImage