Drogë dhe para në Festivalin e rrushit, arrestohen dy 42-vjeçarë

Festivali kulturor “Tikveshki Grozdober” është shoqëruar edhe me një incident policor, pasi dy persona nga Kavadari janë arrestuar nën dyshimin për posedim të lëndëve narkotike. Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi se më 4 shtator, rreth orës 20:50, policia ka privuar nga liria G.P. (42) dhe V.Ç. (42), të dy nga Kavadari. Gjatë kontrollit, te G.P. është gjetur dhe konfiskuar një materie e bardhë pluhurore, ndërsa te V.Ç. janë sekuestruar po ashtu materie e bardhë pluhurore, para dhe telefon. Kontrollet kanë treguar gjithashtu se të dy personat kanë qenë nën ndikimin e alkoolit. Te G.P. janë matur 0.53 promilë, ndërsa te V.Ç. 0.44 promilë alkool në gjak. Të dyshuarit janë ndaluar në stacionin policor dhe për rastin është njoftuar prokurori publik. Pas kompletimit të dokumentacionit, ndaj tyre do të paraqitet kallëzim përkatës.