Drejtori i PSG-së: Kylian Mbappe mund të bëjë më mirë

Drejtori sportiv i PSG-së, Luis Campos, i ka kërkuar Kylian Mbappes të vazhdojë të përmirësohet pasi sulmuesi theu rekordin e golave të të gjitha kohërave për parisienët.
Mbappe në ndeshjen e fundit të Paris Saint-Germain shënoi golin e tij të 201-të, teksa liderët e Ligue 1 mundën Nantes 4-2.

Pas ndeshjes ai u nderua me një trofe dhe festime, por drejtori sportiv i klubit i kërkoi yllit të mos vetëkënaqej dhe theksoi se Mbappe ka ende më shumë për të dhënë në një fanellë e parisienëve.

“Unë e provokoj atë gjatë gjithë kohës sepse ai mund të bëjë më mirë. Mendoj se kur të mbushë 25-26 vjeç, atëherë ai do të jetë në maksimumin e tij,” tha Campos për ‘Telefoot’.

“Ai duhet të vazhdojë të punojë dhe, siç e bën shumë mirë, me standarde të larta”.

Mbappe e kaloi Edison Cavanin në listën e golashënuesve më të mirë të të gjitha kohërave të PSG-së, duke arritur në 201 në 54 ndeshje më pak se sulmuesi tashmë i Valencias.