Dr. Liman Avdiu – këshilltar personal i Afrim Gashit për politikë të jashtme

Sot kryetari Afrim Gashi e mirëpriti në zyrat e Alternativa-s Dr.Liman Avdiun, i cili prej sot do jetë këshilltar i tij personal për politikë të jashtme.
Dr. Avdiu është nga komuna e Likovës. Ai punon si këshilltar shtetëror për bashkëpunim ndërkombëtar në Parlamentin e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe ka një karrierë mbi 20-vjeçare.
Liman Avdiu ka magjistruar në fushën e globalizimit neo-liberal anglosakson dhe ka doktoruar në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare politike në Institutin për Hulumtime Socilologjike, Juridike dhe Politike pranë universitetit Shën “Kirili dhe Metodi” në Shkup.
Gjatë karrierës së tij si këshilltar shtetëror ai ka kryer specializime dhe trajnime të ndryshme në qendrat evropiane në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare, diplomacisë, organizimit të diplomacisë parlamentare dhe në fushën e administratës publike.
Dr. Liman Avdiu ka marrë pjesë në konferenca ndërkombëtare të ndryshme të asambleve parlametare ndërkombëtare, siç janë: Asambleja Parlamentare e NATO-s, e OSBE-së, e Këshillit të Evropës, e Frankofonisë, e Konferencës së Kryetarëve të Parlamenteve të Evropës Juglindore, e Unionit Evroperendimorë, etj. Ai, gjithashtu, ka qenë edhe koordinator për organizimin e konferencave ndërkombëtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Dr. Liman Avdiu ka botuar disa punime shkencore në shqip, maqedonisht, anglisht dhe frëngjisht dhe është autor i librit ‘’Koncepti i mondializimit frankofon ndaj konceptit të globalizimit neoliberal anglosakson”. Gjithashtu ai e ka përkthyer edhe librin ‘’E drejta ndërkombëtare publike’’ nga gjuha frënge në shqip, si dhe librin ‘’Kujtime’’ të autorit Alija Izetbegoviq nga boshnjakishtja në shqip.
Dr.Liman Avdiu është i angazhuar njëkohësisht edhe si profesor universitar në disa universitete.