”Domaqini” i keq, e korit mysafirin – Presidentin Begaj!

Shkruan: Fejzi Hajdari

Është interesant se pse askush nga opinioni kritik, nuk u mor me situatën tepër të vështirë, në të cilën u soll presidenti i Shqipërisë z.Bajram Begaj, gjatë fjalimit të tij për rëndësinë e datës së Kongresit të Alfabetit dhe shkronjave shqipe. Në fakt, në foltoren ku po fliste mbi rrjedhën historike dhe vlerave të kësaj date të rëndësishme të historisë kombëtare, shkruante “Centar za Kultura” në gjuhën maqedonishte. Pra, presidenti para publikut po fliste për rëndësinë historike të shkronjave dhe alfabetit shqip, ndërkohë që nikoqiri i këtij eventi, i kishte rezervuar foltore me shkronja cirilike dhe mbishkrim në gjuhën maqedonishte.

Akti i këtillë në mënyrë më demonstrative edhe njëherë dëshmoi se aty ku figuron gjuha maqedonas, gjuha shqipe s’ka çfarë kërkon!! Pra, kjo është dëshmia dhe treguesi më i madh sesa është “zyrtare gjuha shqipe” në Maqedoninë e Veriut (MV), për të cilën kryeministri Edi Rama dhe Ali Ahmetin, nuk lanë rast duke dashur t’na bindin se është “zyrtare”. Bile-bile shikuar nga aspekti pragmatiko-praktik i bie që ne shqiptarët e MV-së të kemi shënuar “Ditë e Alfabetit të “gjuhës mbi 20 për qind!”. Ky ofendim ose diskriminim i shqiptarëve është sanksionuar në paragrafet normative të Kushtetutës së MV-së.

Çuditërisht, të gjithë heshtën ndaj ofendimit që iu bë presidentit shqiptar Bajram Begaj! Askujt nuk ia vrau syrin ky veprim i shëmtuar për një datë kaq të rëndësishme jetike kombetare. Heshti nikoqiri, që i bie të jenë njerëzit e BDI-së për shkak se ata janë në pushtet dhe eventet e këtilla tani vite me radhë i organizojnë.

Po pra, heshtën!

Siç kishin heshtur edhe për veprimin huliganeske të Apasievit të “Levicës”. Siç heshtën edhe për kryqin e vendosur në Kodrën e diellit, ndërkohë që shtireshin se këtë e paska bërë kryetari i Tetovës, i cili nuk kishte dhënë leje ndërtimi! Heshtën pra, siç heshtën edhe për Sopotin…, e heqën simbolin e “Shqipërisë Etnike”, akoma pa koll asnjë maqedonas i pushtetit… Heshtën, sepse kështu, në heshtje, kishin vepruar edhe me rastin Monstra, Radishani, vrasjen e komandantëve, moszyrtarizimin e gjuhës shqipe, mosrregullimin e statusit të ushtarëve të UCK-së…

Heshtën pra, sepse, kishin frikë të reagojmë, prandaj heshtjet sa vijnë e trashen. Madje-madje ne si popull heshtim edhe kur na dhemb, sepse jemi të frikësuar deri në kockë! Deri sot, ne shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, duke heshtur në mënyrë absurde, gjithnjë e kemi koritur veten, por sot duke heshtur e kortitëm presidentin Begaj(!). Domethënë nuk është njësoj sikurse më parë, kur ne koritnim veten, tash e kortiëm edhe institucionin e presidentit të Republikës së Shqipërisë. Me këtë s’e ofenduam z.Begaj, por veten, sepse nuk arritëm t’ia sigurojmë qoftë edhe një FOLTORE ME SHKRONJA SHQIPE DHE MBISHKRIM SHQIP. Në mënyrë figurative, por shumë domethënëse, ne dëshmuam për të satën herë, se nuk jemi në nivelin e detyrës dhe obligimeve si shqiptarë në Maqedoninë e Veriut. Respekti ndaj presidentit, do të ishte respekt ndaj vetes si dhe ndaj kësaj date të rëndësishme historike. Në treguam se nuk e respektojmë as të parin, e as të dytin. Deri kur…? Një njeri që s’e respekton të vetin, s’i respekton as të tjerët. Pse t’na respektojnë të tjerët, kur ne s’e respektojmë veten!