Dollari më i forti në 20 vitet e fundit

Vlera e dollarit amerikan kundrejt valutave referente vazhdon të rritet, duke arritur nivelin më të lartë në 20 vitet e fundit.

Indeksi i dollarit, i cili tregon vlerën e monedhës amerikane kundrejt gjashtë monedhave më të rëndësishme botërore, ishte rreth 103.56 pikë, ndërsa dje ishte 103.28 pikë.

Valuta mbrëmë në një moment arriti në 103.93 pikë, që është niveli më i lartë që nga fundi i vitit 2002.

Mbështetja për dollarin vjen nga njoftimet e Rezervës Federale për një rritje agresive të normave të interesit dhe paqëndrueshmërisë së tregut financiar, duke nxitur shumë investitorë të kërkojnë mbrojtje më të sigurt të kapitalit. Si rezultat, dollari u forcua me më shumë se pesë për qind kundrejt valutave referente, gjë që nuk është vërejtur që nga viti 2012.

Mëngjesin e sotëm, kursi i këmbimit të dollarit ndaj monedhës japoneze u rrit nga 129.65 e djeshme në 130.50 jen, një nivel i ri më i lartë në 20 vitet e fundit.

Valuta amerikane u forcua edhe kundrejt asaj evropiane, kështu që çmimi i euros ra në 1.0515 dollarë, niveli i ri më i ulët në pesë vitet e fundit.

Çmimet e naftës ranë sërish pas rritjes së ndjeshme të djeshme. Një fuçi nafte në tregun e Londrës ra me 0.55 për qind në 107 dollarë, ndërsa në tregun amerikan rënia ishte 0.60 për qind në 104.65 dollarë.