Doli nga shtypi botimi i dytë i librit: “E drejta kushtetuese”, i Prof. Jeton Shasivari

Këtyre ditëve nga Shtëpia Botuese “Furkan ISM” nga Shkupi, doli nga shtypi botimi i dytë i tekstit universitar: E drejta kushtetuese, i autorit Prof. Dr. Jeton Shasivari, profesor ordinar në lëmin juridik: E drejta kushtetuese dhe administrative në Fakultetin juridik të UEJL-së-Tetovë. Botimi i dytë ishte i nevojshëm për shkak të harxhimit të tirazhit të botimit të parë të v. 2015, si dhe, për shkak të ndryshimeve të fundit kushtetuese të v. 2019 në Republikën e Maqedonisë së Veriut por, edhe, të ndryshimeve të legjislacionit zgjedhor dhe legjislacionit mbi pushtetin gjyqësor, ligjvënës dhe ekzekutiv. Ky tekst universitar përbëhet nga tre pjesë dhe pesëmbëdhjetë kapituj, që si një tërësi e reflektojnë objektin e studimit të së Drejtës kushtetuese, si disiplinë shkencore juridike.

Në këtë tekst universitar, nga fusha e ekspertizës së autorit Prof. Dr. Jeton Shasivari, ngërthehen qasjet e ndryshme teorike, kritike, krahasuese, pozitive dhe konkrete të së drejtës kushtetuese, me ç`rast lexuesit i ofrohet një gamë e gjërë e çështjeve dhe aspekteve aktuale juridike që e formësojnë përmbajtjen e materies kushtetuese, me theks të veçantë në të Drejtën kushtetuese të RMV-së si një shkencë juridike konkrete.

Si risi e këtij libri universitar, duhet të veçohet teksti i spastruar, i konsoliduar dhe integral i Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, nën redaktimin e Prof. Shasivari që si shtesë e veçantë është dhënë në fund të librit, me ç`rast, për arsye pedagogjike, të gjitha XXXVI-të Amendamentet kushtetuese për Kushtetutën e RMV-së (të miratuar në periudhën kohore 1992-2019), janë të inkorporuar në nenet, paragrafët dhe alinetë e Kushtetutës së RMV-së, në mënyrë që të lehtësohet përdorimi i saj nga studentët e drejtësisë si dhe, nga juristët shqiptarë që punojnë në organet dhe institucionet e ndryshme shtetërore dhe publike.

Në këtë tekst universitar, i gjejmë edhe interpretimet provokuese dhe kritike shkencore të kategorive dhe instituteve komplekse juridike kushtetuese, të përcjella me gjuhën e qartë dhe inspiruese të autorit Prof. Shasivari, që si i tillë, parasegjithash është në funksion të profilimit të juristëve të rinjë që më tepër do të mendojnë dhe debatojnë mbi materien kushtetuese se sa ta memorizojnë atë, duke qenë më kompetent dhe më kreativ në “botën kushtetuese juridike”.

Ky tekst universitar me këtë përmbajtje dhe koncept të lëndës, me vlerat shkencore dhe pedagogjike që i ngërthen në vete, me qasjen e qartë metodologjike si dhe me literaturën relevante profesionale vendase dhe të huaj të referencave nga kjo lëmë juridike, parasegjithash, do t`u shërbejë studentëve të Fakultetit Juridik të Universitetit të Evropës Jug-Lindore, si tekst themelor për përvetësimin e së Drejtës kushtetuese në kuadër të tri programeve studimore të ciklit të parë: Studime për drejtësi, Studime të kriminalistikës dhe sigurisë si dhe programit studimor unikal në rajon dhe më gjerë: Informatika Juridike, por edhe opinionit më të gjerë për njohjen e së Drejtës kushtetuese si shkencë dhe si degë juridike.

Recensues të këtij teksti universitar janë: Prof. Dr. Visar Morina, profesor ordinar i së drejtës kushtetuese në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” në Prishtinë si dhe Prof. Dr. Zemri Elezi, Profesor ordinar i së drejtës kushtetuese në Fakultetin e Shkencave Shoqërore Bashkëkohore të UEJL-së.