Një tufë dokumentesh të publikuara këtë javë kanë nxjerrë në pah mungesën e koherencës në qasjen që ka pasur që në fillim Washingtoni në Afganistan. Të ashtëquajturat “Afghanistan Papers” , përmbledhin dëshmi të cilat japin tablonë e një lufte të shënjuar nga dështimi, thotë the Guardian, një kontrast i thellë ky me historinë e triumfit që tregojnë zyrtarë amerikanë e britanikë.
Qindra intervista, të realizuara me gjeneralë të lartë dhe qeveritarë afganë, me ambasadorë, zyrtarë të ndihmës e këshilltarë politikë- tregojnë sesi presidentët njëri pas tjetrit, nga Bushi tek Obama e Donald Trump, nuk arritën gjë tjetër veçse krijimin e një shteti të dhunshëm, të korruptuar dhe jofunksional, që mezi u mbështet nga armët e SHBA-së.
Ato nxjerrin gjithashtu në pah sesi Bashkimi Sovjetik në fillim, e më pas SHBA me aleatët e saj, “ngecën” keq në Afganistan prej një kombinimi të vetëbesimit të tepruar dhe injorancës, ndërsa lidershipi amerikan, si me Bushin ashtu dhe Obamën, shqetësohej më shumë për politikën e brendshme sesa për ndikimin e vendimeve të tij në Afganistan.
Richard Boucher, ndihmës sekretar i shtetit për çështjet e Jugut dhe të Azisë Qendrore në periudhën e viteve 2006 dhe 2009, thotë se kontradiktat që rrethuan qëllimin e tij, e bënë këtë një mision të bazuar në pamundësi.
“Nëse mendojmë se strategjia jonë e daljes është ose të mposhtim talebanët – gjë që nuk mund të bëhet duke marrë parasysh rrethanat lokale, rajonale dhe ndërkufitare – ose të krijojmë një qeveri afgane e cila të jetë e aftë të sigurojë një qeverisje të mirë për qytetarët e saj duke përdorur mjetet dhe metodat amerikane, atëherë mund ta them se nuk kemi një strategji daljeje sepse të dyja këto janë të pamundura”, është pohimi I tij. Përmbledhja që Boucher I bën me pak fjalë situatës ndërkohë, është edhe më tronditëse: “Ne nuk dinim se çfarë bënim”, është shprehur ish zyrtari I lartë.