Doarsa nga Struga, deputete e listës së Vjosa Osmanit

Doarsa Kica Xhelili do të jetë një nga 120 deputetët e Kuvendit të Kosovës.

Në zgjedhjet e 14 shkurtit ajo ishte pjesë e listës së Vjosa Osmani, që ishin bashkë pjesë e listës së Lëvizjes Vetëvendosje.

Në këto zgjedhje ajo ka marrë gjithsej 10.604 vota, duke siguruar ulëse në Kuvend, përcjell Bota sot.

Përmes një postimi në Facebook, ajo ka falënderuar të gjithë votuesit, derisa ka thënë se tani do t’i përfaqësojë në Kuvend.

Postimi i saj i plotë në Facebook:

Të dashur miq e bashkërrugëtues,

Tashmë që u shpallën rezultatet zyrtare të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të datës 14 shkurt 2021, ju falënderoj 438.334 herë për mobilizimin tuaj të jashtëzakonshëm për dalje në votim pavarësisht motit aspak të favorshëm.

Pastaj, ju falënderoj 300.788 herë për mbështetjen e fuqishme të listës së zj. Osmani në kuadër të listës së Lëvizjes Vetëvendosje. Ky bashkëpunim ka konfirmuar se me partnerët që synojnë ndryshime pozitive në vend, uniteti i pamohueshëm ndal çdo zë dyshues.

Për fund, por jo me më pak rëndësi për mua, ju falënderoj 10.604 herë për besimin e dhënë përmes votës suaj për mua, pavarësisht faktit se isha fytyrë e re me shumë pak kohë për të dëshmuar qëllimet e mia të sinqerta.

Vullneti juaj ishte inspirues për mua edhe gjatë parafushatës dhe fushatës, edhe tani që shoh këtë vullnet të përkthyer në votë dhe mundësi që t’iu përfaqësoj në Kuvend të Republikës së Kosovës.

Ua kthefsha me krenari për zgjedhjen që keni bërë!

E juaja,

Doarsa.