Do të formohet Këshilli për përcjelljen e zbatimit të Strategjisë Zhvillimore Sektoriale për Drejtësi (2024 – 2028)

Qeveria në seancën e sotme mori vendim për formimin e Këshillit për monitorimin e zbatimit të Strategjisë Zhvillimore Sektoriale për Drejtësi (2024-2028).

SIç informojnë nga Ministria e Drejtësisë, Këshilli është krijuar me qëllim të sigurimit të vazhdimësisë së praktikës së mëparshme për monitorimin e reformave në gjyqësor.

MD njofton se Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut në seancën e mbajtur më 26.12.2023 miratoi Strategjinë Zhvillimore Sektoriale për Drejtësi (2024-2028) me Planin e saj të veprimit.

Nga Ministria informojnë se Këshilli do të kujdeset për zbatimin me kohë të masave dhe aktiviteteve sipas Planit të Veprimit, duke monitoruar prioritetet, kornizën kohore dhe afatet e zbatimit dhe vlerësimin e rezultateve të arritura në zbatimin e Planit të veprimit.

Këshilli do të kryesohet nga ministri i Drejtësisë, ndërsa anëtarë të tjerë janë: ministrat e Punëve të Brendshme, Shoqërisë Informatike dhe Administratës dhe Financave, zëvendëskryeministrat për Çështje Evropiane dhe Politika të Qeverisjes së Mirë, Prokurori publik i Shtetit, kryetarët e Gjykatës Supreme, e Këshillit Gjyqësor, e Këshillit të Prokurorëve Publikë të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Anëtarët e tjerë janë: akademik Vllado Kambovski, Vera Koco, gjyqtare në pension, Adnan Jashari, profesor në Universitetin e Evropës Juglindore – Tetovë, Sllagjana Taseva, ish-kryetare e Transparency International – Maqedoni, Besa Arifi, profesoreshë në Universitetin e Evropës Juglindore – Tetovë, Neda Zdraveva, profesoreshë në Fakultetin Juridik “Justiniani i Parë” – Shkup, Abdullah Azizi, profesor në Fakultetin Juridik në Universitetin e Evropës Juglindore – Tetovë, Nikolla Prokopenko, Këshilltar Shtetëror për Legjislacionin Penal në Ministrinë e Drejtësisë, Marija Nikollovska Gjorgjiev, zyrtare e kabinetit në zyrën e zëvendëskryetares së Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut për çështje evropiane, Zharko Haxhi Zafirov, përfaqësues nga grupi për drejtësi BLUEPRINT.

Nga Ministria e Drejtësisë potencojnë se në seanca sipas nevojës do të marrin pjesë dhe do përcjellin punën e ministrave tjerë, zëvendësministrave dhe zyrtarëve përgjegjës të organeve të administratës publike, ekspertë vendas dhe ndërkombëtarë, profesionistë dhe kryetarët e Shoqatës së Gjyqtarëve, të prokurorëve publikë, të administratës gjyqësore dhe të prokurorisë publike.