Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, do të vazhdojnë edhe sot takimin, për të tretën ditë radhazi në përpjekje për të arritur marrëveshjen finale për bashkëqeverisje.
Kurti e Mustafa janë takuar edhe të hënën dhe të martën, takime këto që kanë zgjatur më shumë se tri orë, por pa dhënë deklarata për media pas zhvillimit të takimeve.
Lideri i LVV-së, të martën pas mbledhjes së Kryesisë së LVV dhe para takimit me Isa Mustafën theksoi se deklaroi se pas rifillimit të bisedimeve me LDK-në, proceset do të ecin shpejt, pasi që edhe ashtu marrëveshja siç tha ai është shumë afër.
“Mundësitë janë, dhe shpresoj që tash pasi kanë rifilluar bisedimet edhe do të shkojmë me shpejtësi drejt arritjes së marrëveshjes e cila edhe ashtu është shumë afër”, tha Kurti.
Edhe anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se në bisedimet me Lëvizjen Vetëvendosje ka lëvizje në arritjen e marrëveshjes për bashkëqeverisje.
Hoti, përmes një postimi në Facebook, ka kujtuar se takimi i ardhshëm do të ndodhë të enjten.
“Kemi lëvizje në arritjen e marrëveshjes për bashkëqeverisje në mes të dy partive. Nesër takohemi prapë”, ka shkruar ai.