Dje më shumë lokale janë mbyllur në lagjen Veri dhe në Vollkovë, thanë nga Inspektorati i Tregut

Duke folur për aksionin e djeshëm, inspektorja e Tregut, Aleksandara Koteli ka treguar se ku ka pasur më shumë shkelje të protokolleve anti-Covid nga ana e objekteve hotelerike.

Siç ka bërë të ditur për TV21, më shumë lokale janë mbyllur në lagjen Veri të Shkupit dhe në Vollkovë.

“Ashtu si çdo mbrëmje, edhe dje kemi realizuar kontrolle të rregullta për respektimin e protokolleve për mbrojtje nga sëmundjet ngjitëse. Dje kemi pasur më shumë raste, gjegjësisht janë mbyllur më shumë lokale. Ashtu ishte në Shkup Veri dhe në Vollkovë. Një objekt në Prilep dhe në Makedonski Brod”, tha Koteli.

Ndërkaq, e pyetur për lokalin në rrugën “Ilinden” të Shkupit, ka deklaruar se gjatë përpjekes së tyre për të inspektuar objektin, janë përballur me turmë të njerëzve që kanë qenë duke qëndruar aty.

“Ndërsa për lokalin në Shkup, gjatë përpjekjes sonë për të kryer inspektim, jemi ndeshur me një turmë njerëzish të cilët vraponin për të dalë nga objekti. Kjo do të thotë se Inspektorati i Tregut aspak nuk ka hyrë në lokal, sepse e pamë se menjëherë arritën pjesëtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Inspektoari Shtetëror i Tregut shkoi në vend tjetër”, sqaroi më tej Koteli.

Ka shtuar se të dhënat për vendet tjera ende po grumbullohen./TV21