Ismail ARSLLANI
(Tezë që mund të rrëzohet…)
Mendoj se intelektualët jopartiakë shqiptarë (nëse ka të tillë) duhet të punojnë me popullin (qoftë partiak apo jopartiak), me qëllim që t’i demaskojnë “djallëzitë” e palës tjetër, që me gjuhën e diplomacisë dhe politikës, quhet – strategji. Pala tjetër është shumë më e aftë për “djallëzi” se sa shqiptarët. Ajo perfeksionohet duke qenë në pushtet. Por shqiptarët në pushtet nuk i japin rëndësi këtij dimensioni, sepse dehen nga ajo që u ofron pushteti, shpesh në një dehje të tillë anashkalohen, degradohen dhe amortizohen kërkesat reale të shqiptarëve.
Sa për ilustrim, po e përmendi vitin 2017, kur VMRO-DPMNE-ja si fituese në zgjedhje nuk bëri shumë bujë kur erdhi në pushtet LSDM-ja humbëse, me ndihmën e shqiptarëve. Ajo parti (VMRO-DPMNE), ka pasur dhe ka një ekip të tërë analistësh që analizojnë dhe hartojnë strategji më afatgjate. Ata lejuan LSDM-në e dobët që të marrë pushtetin, gjithnjë e kushtëzuar nga shqiptarët në koalicion qeverisës (BDI), që të dobësohej edhe më shumë dhe ta humbte kredibilitetin edhe ashtu të vogël para elektoratit të vet, shkaku i privilegjeve që “fitonin” shqiptarët kundruall tyre në udhëheqjen e shtetit.
Analistët e dinin fare mirë se kjo e dobëson secilën parti që u jep të drejta shqiptarëve. Mentaliteti maqedonas nuk mund ta flak rolin e padronit në këtë shtet.
Atëherë, partia shqiptare në pushtet (BDI), që ka fare pak “djallëzi” politike, zuri të lëvdohet gjithnjë më shumë, duke i glorifikuar “sukseset” që çonin ujin në mullirin e opozitës së atëhershme, VMRO-DPMNE-së, duke e dobësuar gjithnjë më shumë LSDM-në dhe duke e ngritur pakënaqësinë se shqiptarët e “morën pushtetin” në Maqedoni.
Kjo është një “djallëzi” e kulluar politike, që pi ujë në këtë shtet me këtë mentalitet anakronik.
BDI-ja duhej të bënte punë në heshtje, të mos lëvdohej dhe duhej të ankohej vazhdimisht se po kërcënohen të drejtat e shqiptarëve, që do të ishte në sinkron me mentalitetin e popullit shqiptar (edhe kjo është një “djallëzi” politike), në mënyrë që të mos sensibilizohej pala tjetër se po humb gjithçka.
Kjo nuk ndodhi. Pala tjetër zuri të shqetësohej tej mase. Ata zunë të grumbullohen rreth VMRO-DPMNE-së, duke menduar se ajo i mbron denjësisht të drejtat e tyre dhe di fort mirë se si duhet të veprohet me shqiptarët (edhe kjo është një “djallëzi” politike).
Kur analistët dhanë sinjalin se është momenti i volitshëm, që tregonin edhe sondazhet, VMRO-DPMNE hyri në fushatë zgjedhore (2024) me një energji të fuqishme, e sigurt, e hapur dhe me oferta që do t’ua kthente dinjitetin elektoratit të vet në dëm të shqiptarëve, të cilët do të duhej të luftonin nga e para për të drejtat e tyre të pakicës dhe jo të shtetformësisë.
Partia shqiptare, atëherë në pushtet, BDI, prepotente për “fuqinë” që kishte ndaj një LSDM-je të dobët, as që varte veshin për kërcënimet e VMRO-DPMNE-së se do t’i shkatërrojë shqiptarët dhe do t’ua tregojnë “vendin” ku e kanë. Madje, me disa broçkulla e provokonte palën tjetër, që bënte të mundur edhe më shumë të sensibilizohen dhe të mobilizohen kundër kësaj “të keqeje” që kishte dalë në mejdan.
Politika është si loja e shahut. Duhet të harxhosh më shumë “poteza”, që të arrish te qëllimi.
Prandaj, ndodhi përmbysja. /I.A./
Opinione “DJALLËZIA” NË POLITIKË (Post Festum)



