Ditë e zezë për Italinë, në 24 orët e fundit i shënoi 793 vdekje nga virusi

Vetëm gjatë 24 orëve të fundit, Italia i ka shënuar 793 vdekje të reja nga koronavirusi, duke e çuar në 4825 shifrën e përgjithshme të viktimave.

Kjo është rritja më e madhe e numrit të viktimave për periudhën njëditore prej fillimit të përhapjes së virusit të ri në shtetin evropian.

Të enjten, Italia ia zurin vendin e parë Kinës për numrin më të madh të vdekjeve.

Agjencioni i Mbrojtjes Civile njoftoi se rritje të konsiderueshme ka shënuar edhe numri i personave të infektuar. Nga 47 mijë, kjo shifër tashmë ka shkuar në mbi 53 mijë persona.

Ndërkohë në Mbretërinë e Bashkuar u shënuan 53 vdekje të reja, duke e çuar në 233 numrin e përgjithshëm të rasteve fatale.

Koronavirusi ka prekur shumicën e vendeve të Europës përfshirë edhe vendet e rajonit, si Shqipëria, Maqedonia, Serbia e Mali i Zi.

Koronavirusi nisi në Wuhan të Kinës ku fillimisht virusi ishte përcjell nga shtazës e më vonë kaloi edhe te njeriu. Ende s’është gjetur vaksina me të cilën do të parandalohej shpërndarja e virusit. Për t’u mbrojtur nga ky virus kërkohet të mos kini kontakte me njerëz, të mos qëndroni në ambiente të mbyllura dhe t’i kushtoni kujdes higjienës, duke përfshirë larjen e shpeshtë të duarve.

Deri më tash, shumica e të prekurve me koronavirus janë shëruar. Kanë pasur probleme vetëm të moshuarit dhe ata që kanë pasur edhe më herët probleme shëndetësore.