Dita e Refugjatëve, Avokati i Popullit apelon: Të krijohen politika integruese

Me rastin e shënimit të Ditës ndërkombëtare të refugjatëve, 20 Qershor, kur i gjithë opinioni ndërkombëtar e kthen vëmendjen drejt situatave të personave të zhvendosur me forcë, Avokati i Popullit i bashkëngjitet apelit të Komisariatit të lartë për refugjatë të Kombeve të Bashkuara për
nevojën e përfshirjes më të madhe të kësaj kategorie personash, veçanërisht në fushat e shëndetësisë, arsimit dhe sportit.

“Pandemia globale me Kovid-19 na tregoi edhe një herë se askush nuk mundet vetëm dhe se është e domosdoshme të jemi së bashku në zgjidhjen e të gjitha vështirësive që na i sjell e sotmja. Prandaj, duke marrë parasysh se përfshirja është njëra nga shtyllat kryesore mbi të cilën mbështetet parimi i solidaritetit, ndërkaq mbi idenë e së cilit bazohet edhe Konventa e Kombeve të Bashkuara për statusin e refugjatëve, Avokati i popullit me rastin e Ditës së refugjatëve të këtij viti u rekomandon autoriteteve për respektimin e plotë të të drejtave të këtyre personave dhe krijimin e politikave që do të kontribuojnë në integrimin e tyre të plotë në komunitet, duke e ruajtur dinjitetin e tyre dhe duke ua kthyer ndjenjën e sigurisë“, thuhet në kumtesën e Avokatit të Popullit – Naser Zyberi, transmeton TV21.