Dita e dytë e takimit NATO – Maqedoni e Veriut

Në Shkup vazhdon takimi joformal i drejtorëve për çështje politike dhe siguri të Ministrive të Jashtme të vendeve anëtare të NATO-s.

Takimi drejtohet nga Ndihmës Sekretarja e Përgjithshme e NATO-s për Çështjet Politike dhe Politikën e Sigurisë, Betina Kadenbach. Në takim marrin pjesë edhe zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian.

Në seancën e parë të takimit kushtuar Ballkanit Perëndimor, foli dje ministri i Jashtëm Bujar Osmani, i cili tha se mungesa e një perspektive të besueshme evropiane dhe euroatlantike në Ballkanin Perëndimor mund të ketë shumë pasoja negative, veçanërisht në aspektin e stabilitetit rajonal.

“Përshpejtimi i proceseve integruese evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe qasja e konsoliduar e NATO-s dhe BE-së në rajon është mjeti më i mirë për tejkalimin e sfidave të sigurisë dhe ruajtjen e proceseve demokratike në rajonin tonë”, tha Osmani i cili hapi mbledhjen.

Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë, pas anëtarësimit të vendit në NATO, për herë të parë është nikoqire e një manifestimi të tillë, ku marrin pjesë mysafirë të lartë nga të gjitha shtetet aleate, thonë nga MPJ.

Ministria shtoi se mbajtja e takimit të drejtorëve të çështjeve politike dhe të sigurisë të ministrive të jashtme të NATO-s në Shkup është një tjetër dëshmi e rëndësisë strategjike të rajonit për Aleancën Veriatlantike.