Dita e 8-të e Olimpiadës së Parisit ofron një shfaqje mbresëlënëse

Gjatë pak më shumë se një jave në Olimpiadën e Parisit, bota ka dëshmuar krijimin e legjendave, konkurrim emocionues dhe thyerje rekordesh.

Kina dominon pingpongun dhe badmintonin për femra

Nuk është një gjë e zakonshme që një vend të ketë jo një, por dy medalistë në të njëjtën garë olimpike.

Çifti kinez i badmintonit Chen Qingchen dhe Jia Yifan u përballën me bashkatdhetarët e tyre Liu Shengshu dhe Tan Ning në ndeshjen për medaljen e artë dyshe për femra të shtunën, duke siguruar dy medalje të tjera për Kinën.
Ndërkohë, në finalen individuale të pingpongut për femra, Chen Meng triumfoi mbi konkurrenten e saj po nga Kina Sun Yingsha, duke e shtuar me dy medalje të tjera totalin e vendit të tyre.
Krijimi i historisë

Dita e 8-të e lojërave olimpike ishte e mbushur si me dhembje, ashtu edhe me lavdi, me notaren amerikane Katie Ledecky, që theu rekordin e vet të medaljeve olimpike të sportisteve femra, dhe Julien Alfred të Saint Lucias, që triumfoi mbi Sha’Carri Richardson-in e ShBA-së në vrapimin 100 metra për femra, duke fituar medaljen e parë në histori për këtë vend të vogël të Karaibeve.
Ledecky mori medaljen e vet të nëntë në not, duke shënon rekord për femra, pasi fitoi në garën 800 metra për femra stil i lirë, duke e konsoliduar pozicionin e saj si një nga sportistet më të mëdha në historinë olimpike.
Fitorja në stilin e lirë 800 metra shënon gjithashtu herën e katërt në karrierën e Ledecky-t që ajo triumfon në këtë kategori.

Dita e tetë e Olimpiadës së Parisit gjithashtu dëshmoi edhe herën e parë në histori që një teniste aziatike fiton një medalje të artë olimpike si individ për femra, kur kinezja Zheng Qinwen mposhti në finale kroaten Donna Vekic.
Gjimnastja legjendare amerikane Simone Biles bëri një paraqitje të paharrueshme në garën e kapërcimit të kaluçit për femra, duke fituar medaljen e vet të shtatë të artë dhe medaljen e dhjetë olimpike. Braziliania Rebecca Andrade fitoi argjendin.
Fitore “milimetrike”

Stafeta e notit stil i përzier 4 x 100m të shtunën ishte një garë mjaft e ashpër.

Ekipi amerikan fitoi medaljen e arit pasi mundi ekipin kinez me një epërsi shumë të vogël, 0.12 sekonda. Gjatë kësaj gare pati disa ndryshime të kryesuesit dhe konkurrencë të fortë, duke çuar në një nga konkurrencat më emocionuese të Olimpiadës së Parisit.