Dita e 105-të e protestës kundër qeverisë, diaspora zbret në shesh! Qytetarët kërkojnë dorëheqjen e Edi Ramës

Protesta e sotme pritet të jetë më e veçantë, pasi organizatorët kanë paralajmëruar një pjesëmarrje të shtuar të qytetarëve shqiptarë nga diaspora. Sipas tyre, ardhja e emigrantëve shqiptarë në vend synon t’i japë një tjetër dimension protestës.

Në qendër të kërkesave të protestuesve vijon të jetë dorëheqja e Edi Ramës dhe e qeverisë së tij, si dhe krijimi i një qeverie teknike, e cila, sipas organizatorëve, do të duhej të garantonte një proces të ri politik dhe zgjedhor.

Një tjetër kërkesë e protestuesve është anulimi i disa ligjeve dhe nismave që ata i konsiderojnë në kundërshtim me interesin kombëtar. Në fokus janë përmendur ligji për investimet strategjike, ligji për zonat e mbrojtura, si dhe ajo që njihet si “Paketa e Maleve”.

Organizatorët kanë deklaruar se protesta do të vijojë edhe në ditët në vazhdim deri në largimin e Edi Ramës.