Dislokimi i kazinove, akoma asnjë zgjidhje nga pushteti

Propozim-Ligji për lojërat e fatit me të cilin parashihej dislokimi i bastoreve e kazinove larg qendrave të qytetit dhe objekteve arsimore, i cili mandatin e kaluar u propozua nga BDI, mbeti në harresë. Nga kjo parti nuk sqarojnë pozicionin e tyre në raport me këtë propozim ndërsa nga LSDM-ja thonë se po përpiqen të gjejnë zgjidhje nga e cila të gjithë do të mbeten të kënaqur.

Ne vlerësojmë se duhet të zgjidhet në atë mënyrë në të cilën të gjithë duhet të mbesin të kënaqur, edhe ata që ofrojnë lojëra fati edhe ata që luajnë, pasi edhe në debatin publik u potencua se në atë sistem punojnë mbi 7000 qytetar, por u theksua nevoja për kontrolle më të forcuar pasi persona adoleshent nuk guxojnë të marrin pjesë në lojërat e fatit -tha Dime Vellkovski, LSDM.

Por, nga opozita nuk besojnë se Ligji për lojërat e fatit është në prioritet të partive në pushtet. Deputeti i ASH-së, Syriaja Rashidi, thotë se propozim ligji i BDI-së atë kohë është bërë sa për të blerë kohë dhe për të shuar revoltën e qytetarëve, andaj opozita shqiptare është duke hartuar një propozim ligj të saj.

BDI nuk ka kapacitet të promovojë dhe të miratojë ligj pa marrë leje nga patroni i tyre zakonisht. E kjo ndodh edhe sot e kësaj dite. Natyrisht që ne këtë çështje e kemi marrë me seriozitetin më të madh, e kemi pasur edhe premtim parazgjedhor dhe pjesë të programit parazgjedhor dhe mund të them atë se në këtë fazë jemi duhet përgatitur një ligj i cili do të jepe përfundimisht zgjidhen e kësaj çështje urgjente do të kisha thënë – tha Syrija Rashidi, ASH.

Nga Lëvizja Anti Bixhoz janë skeptik që pushteti do të zgjidh çështjen me Lojërat e Fatit edhe pse kanë premtuar se procedurat në Kuvend do të vazhdojnë në muajin shkurt. Paralajmërojnë se edhe këtë vit nuk do të rrinë duarkryq, por mund të bllokojnë edhe qendrën e kryeqytetit.

Fati i keq është që jemi në kohë pandemie dhe ndoshta edhe mendimi i përgjithshëm ka qenë se ne kemi qenë të heshtur. Nuk kemi heshtur, këtë mund ta them me përgjegjësi të plotë. Ne normal që kemi vazhduar edhe me takimet për këtë kohë, por nuk kemi pasur mundësi të organizohemi. Por nëse eventualisht vazhdon kjo amulli atëherë ne do të organizohemi me protesta masive dhe atë që qendër të Shkupit – u shpreh Xhemal Abdiu, Lëvizja Anti-Bixhoz.

Vitin e kaluar, kishte protesta të shumta, por edhe debate publike në Kuvend lidhur me ligjin për lojërat e fatit, por përkundër premtimeve të shumta, ligji nuk u miratua. Në Maqedoni veprojnë 8 kompani që organizojnë lojëra të fati në rreth 700 pika pagesore në të cilat janë të angazhuar më shumë se 2 mijë persona./Alsat