Diplomati e zë në rrenë Vuçiqin – Ja nga cili shtet varet hyrja e Kosovës në OKB, nuk është Serbia!

Diplomati shqiptar, Shaban Murati, ka reaguar ndaj deklaratës së presidentit serb, Aleksandër Vuçiqi, i cili theksoi se hyrja e Kosovës në OKB varet nga Serbia.

Murati përmes një shkrimi në Facebook, thotë se, hyrja e Kosovës në OKB nuk varet nga Serbia por nga Rusia.

Ai shkruan se po nuk deshi Rusia, as Franca dhe Gjermania nuk e fusin dot Ksoovën në OKB.

Postimi i plotë:

Rrena e Vuçiqit sikur e ka në dorë të fusë Kosovën në OKB

Presidenti serb Vuçiq deklaroi në 8 tetor rrenën e radhës sikur Franca dhe Gjermania i kanë kërkuar atij që Serbia të lejojë Kosovën të hyjë në OKB dhe ata si shpërblim do ta fusin Serbinë në BE. (I mjerueshëm servilizmi i mediave shqiptare, që nuk lenë rrenë dhe p. të Vuçiqit pa i bërë jehonë sapo dalin).

Vuçiqi ka disa vite, që tallet dhe shet ajër sikur nga Serbia varet të hyjë Kosova në OKB. Këtë ajër serb e hëngri edhe qeveria e mëparshme e Kosovës si analfabete diplomatike. Çdo fillorist e din që anëtarësimi i Kosovës në OKB varet nga Rusia. Po nuk desh Rusia, as Franca, që është anëtare e përhershme e KS të OKB, dhe as Gjermania, që nuk është anëtare e përhershme e KS të OKB, nuk e fusin dot Kosovën në OKB. Serbia, që është thjesht një votë ndër 193 shtete anëtare të OKB, nuk hyn fare në refene për anëtarësimet e reja në OKB.

Por Vuçiqi vazhdon të vetëfryhet, sikur ai e ka në dorë të hyjë Kosova në OKB. E rren mendja se ndoshta dikush në Prishtinë mund të përsërisë gabimin trashanik të paraardhësve dhe të blejë ajrin diplomatik serb të anëtarësimit në OKB.