Dimitrov: Viti i ardhshëm do të jetë jashtëzakonisht i vështirë

Ish-zv. kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë, Nikolla Dimitrov, sot në Forumin e 22-të Ekonomik të Beogradit deklaroi se rajonit duhet t’i jepet një perspektivë e prekshme për anëtarësim në BE, njofton korrespondenti i AIM-s nga Beogradi.

Në një panel mbi ndikimin e luftës në Ukrainë në Ballkanin Perëndimor, ai paralajmëroi se gjatë krizës hendeku ekonomik midis vendeve anëtare të BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor po rritet, pasi rajoni është më i cenueshëm se pjesa tjetër e kontinentit sepse ka më shumë njerëz që jetojnë nën pragun e varfërisë.

Ai shtoi se kjo do të sjellë pakënaqësi të qytetarëve në rajon për integrimet evropiane dhe vlerësoi se viti i ardhshëm do të jetë jashtëzakonisht i vështirë.

“Ne jemi të gjithë në anijen ekonomike evropiane, sepse shumica e investimeve vijnë nga vendet anëtare të BE-së, por diferenca ekonomike po rritet, sepse deficiti i tregtisë së jashtme të rajonit është rreth nëntë miliardë euro, ndërsa rajoni merr të njëjtat të ardhura nga BE-ja, por për një periudhë shtatëvjeçare. Greqia merr dhjetë herë më shumë se vendet e Ballkanit Perëndimor dhe për këtë arsye dallimi është në rritje”, tha Dimitrov.