Delegacioni i Maqedonisë së Veriut i kryesuar nga ministri i Punëve të Jashtme Nikolla Dimitrov, sot dhe nesër do të marrë pjesë në Këshillin e 26-të ministror të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), që do të mbahet në Bratislavë, Sllovaki.
Në Këshillin ministror, ministrat e punëve të jashtme të vendeve anëtare të OSBE-së do të këmbejnë mendime për punën dhe aktivitetet e Organizatës në periudhën e fundit njëvjeçare, në kuadër të kryesimit sllovak me OSBE-në.
Njëherit, pritet që të miratohen edhe një numër i madh i vendimeve dhe deklaratave që kanë të bëjnë me veprimin në tre dimensione të Organizatës: politiko-ushtarake, ekonomiko-ekologjike dhe dimensionin human.
Ministri Dimitrov do të ketë fjalim në Këshillin ministror dhe do t’i prezantojë qëndrimet e Republikës së Maqedonisë së Veriut për çështjet aktuale të agjendës së Organizatës.
Në margjinat e Këshillit ministror, ministri Dimitrov do të realizojë takime me përfaqësues të lartë të institucioneve të OSBE-së, si dhe me ministrat e punëve të jashtme të vendeve anëtare të Organizatës.