Dimitrov: Mesazhet inkurajuese nuk janë të mjaftueshme, na duhet vendim për negociata me BE-në

BE duhet patjetër sa më parë ta plotësojë premtimin e saj për hapjen e negociatave për anëtarësim me Maqedoninë e Veriut, thekson shefi i diplomacisë Nikolla Dimitrov në një deklaratë për AFP-në duke paralajmëruar se nuk janë të mjaftueshme mesazhet inkurajuese pas takimit të tetorit të Këshillit Evropian në të cilin nuk u soll vendimi për fillimin e procesit të pranimit.

“Mendoj se këto mesazhe janë pozitive dhe të nevojshme, por për këtë fazë për ne dhe për mua si ministër i Punëve të Jashtme është shumë vështirë të flasim për shpresë kur tre herë e kemi goditur murrin – në qershor 2018, qershor 2019 dhe në tetor të këtij viti”, deklaroi Dimitrov.

Është e nevojshme, thekson ai, të sillet vendim që do t’u japë njerëzve shpresë reale se Evropa është serioze në lidhje me perspektivën tonë evropiane.

AFP rikujton që Komisioni Evropian dhe institucionet e BE-së kanë treguar që Maqedonia e Veriut i ka plotësuar të gjitha kushtet dhe detyrat që i ishin dhënë dhe që duhet të fillojë negociatat për anëtarësim, por në Samitin e Bashkimit Evropian, kjo gjë u kundërshtua nga Franca.

Për veton franceze, Dimitrov thotë që e drejta e Parisit është të hapë debat legjitim për procesin e pranimit dhe Maqedonia e Veriut është e gatshme këtë të pranojë dhe t’i nënshtrohet mbikëqyrjes plotësuese duke përfshirë edhe procesin e reverzibilitetit.

Edhe përskaj dëshpërimit nga BE në muajin tetor, Dimitrov shprehet se Shkupi nuk do e përsërisë gabimin pas Samitit të NATO-s në vitin 2008 kur nuk pranoi ftesë për anëtarësim për shkak kontestit me Greqinë dhe hyri në qorrsokak.

“Ne i jemi shmangur përsëritjes së këtij gabimi. Ne mbetemi të përqendruar në qëllimin. Në javët e ardhshme ne duam të arrijmë rezultate shtesë të reformave që do ta përforcojnë rastin tonë dhe do ta bëjnë të pamundur një “jo” të re nga vendet anëtare të BE-së”, thekson Dimitrov.

Mundësia tjetër për të përmirësuar gabimin dhe të sillet vendimi për fillimin e negociatave me Shkupin dhe Tiranën, është Samitit i liderëve të BE-së në Zagreb, më 6 dhe 7 maj vitin e ardhshëm.