“Dikush në Beograd e Moskë i ka tërhequr…”/ Deklarata skandaloze për Kosovën, Zoran Milanoviçit i vjen kundërshtimi i fortë

Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviç, në mënyrë skandaloze deklaroi se Kosova i është aneksuar apo rrëmbyer Serbisë.

“Ne e kemi njohur Kosovës kundër vullnetit të shtetit [të Serbisë], të cilit i takon Kosova. Rusët, nëse janë cinikë do t’i referohen Kosovës….Ne e aneksuam Kosovën. Ne dhe komuniteti ndërkombëtar. Ajo u mor nga Serbia. Kush e bëri këtë përveç nesh? Nuk është aneksim, është rrëmbim”, tha Milanoviç.

E menjëherë nga presidenti Milanoviç, është distancuar kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq.

“Sa jam unë në dijeni askush nuk e ka aneksuar Kosovën. Asnjë shtet. Kosova është shtet i pavarur të cilin e ka njohur Kroacia. Aneksim është kur Rusia okupon territor të Ukrainës, organizon referendum të rrejshëm dhe ia bashkon ato pjesë Rusisë. Kosova është shtet i pavarur, sovran, që e kemi njohur. Askush nuk e ka aneksuar“, tha kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq.

Deklarata skandaloze e presidentit kroat Zoran Milanoviç ka nxitur reagimin edhe të profesorit të marrëdhënieve ndërkombëtare, doktor Enver Bytyçit.

“Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviç, thotë se “është çmenduri dërgimi i tankeve në Ukrainë”, duke marrë në mbrojtje Rusinë. Madje kritikon Perëndimin nëse ajo kërkon shpërbërjen e Rusisë. Ndërkaq thotë se Perëndimi aneksoi Kosovën, duke justifikuar të njëjtën teori serbe të Aleksandër Vuçiq! Ai përpiqet të thotë se është mirë që Kosova është e pavarur, e ndërkohë thekson idenë serbë miloviçioane, se “Perëndimi e aneksoi atë”! Nga pikëpamja realiste dhe objektive e shpjegimit të së vërtetës, Milanoviç dhe të gjithë ata që mendojnë si ai, dëshmojnë se janë spekulantë. Çdo të thotë “Perëndimi aneksoi Kosovën”?! Kujt ia aneksoi?! Kosova është shtet i pavarur dhe vend i aneksuar. Aneksimi do të thotë ta shkëputësh një vend, një popull, një rajon, siç është Kosova dhe t’ia japësh dikujt tjetër. Kujt iu dha Kosova? Askujt përveç qytetarëve të saj”, thotë Bytyçi për “Bota sot”.

Sipas tij, presidenti i Kroacisë kërkon të shfaqë një opinion të tijin në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë.

“Kjo gjykatë më 22 korrik 2010 ka përcaktuar se pavarësia e Kosovës është në përputhje me të drejtën dhe ligjin ndërkombëtar! Kush është një president apo kush janë disa president e politikanë, të cilët të gjykojnë vendimin e kësaj gjykate?! Çdo njëri që del dhe demanton vendimin e GJND-së, dëshmon se është një politikan autokrat, i prirur për të mos njohur ligjin dhe të drejtën. Këtë gjë bën edhe presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviç”, shprehet Bytyçi.

Profesor Bytyçi thekson se Milanoviç është vënë në dispozicion të Vladimir Putinit.

“Ai përpiqet të jetë një lloj sofisti dhe eklektiku, duke u përpjekur të bashkojë dy të kundërta, që nuk rrinë bashkë. Ai thotë se “është shkelur e drejta ndërkombëtare” e ndërkohë se “e njeh dhe e mbështet edhe sot pavarësinë dhe shtetësinë e Kosovës”! Me këtë lloj eklektizmi Milanoviç përpiqet të justifikojë aneksimin e Krimesë nga ana e presidentit rus, Vladimir Putin. Pra është vënë në dispozicion të një njeriu që shfaqet në jetën politike e publike me të njëjtën pamje si Hitleri dhe Millosheviçi. Të përpiqesh sot të justifikosh Vladimir Putin, nesër do të rehabilitosh edhe Sllobodan Milosheviçin. A do ta pranonin këtë kroatët e masakruar prej ish diktatorit serb të mbiquajtur Kasapi i Ballkanit?!”, shpjegon Bytyçi për “Bota sot”.
Advertisement

“Tani të kthehemi te Kosova. Presidenti serb dhe shteti e vendi i tij e kanë njohur Kosovën si shtet. Njohja përjashton idenë e aneksimit. Kur Zagrebi e ka marrë këtë vendim është bazuar në të drejtën ndërkombëtare. Sipas së drejtës ndërkombëtare popujt që bashkëjetojnë me popuj të tjerë në një federatë, kur ata masakrohen dhe dëbohen masivisht me qëllim asgjësimin fizik të tyre, këta popuj kanë të drejtë të kërkojnë të pavarësohen. Kjo ndodhi në Kosovë. Por nuk ka ndodhur asgjë e ngjashme në Krime. Të vendosësh shenjën e barazimit midis Kosovës dhe Krimesë është dashakeqësi ndaj Kosovës dhe ndihmë e madhe për Kremlinin”, shton Bytyçi.

Më tej, ai e quan Milanoviçin mercenar, për të cilin thotë se ka qenë këshilltar i Edi Ramës para se të bëhej president i Kroacisë.

“Sa i përket qëndrimit ndaj Kremlinit presidenti i Kroacisë e ka llogarinë me popullin e tij, si dhe me NATO-n e BE-në, anëtar të së cilës është. Për Kosovën ai ka llogari edhe me shqiptarët, jo vetëm ata që jetojnë në Kosovë. Por ky qëndrim nuk është i papritur. Milanoviç ka qenë këshilltar i Edi Ramës para se të bëhej president i Kroacisë. Ai ishte kryeministër dhe mbasi humbi zgjedhjet erdhi dhe u bë vasal i Edi Ramës. Sigurisht me para, u bë një mercenar. Por kushdo që bëhet njëherë mercenar, ai do të jetë gjithë jetën mercenar. Përmes Ramës u bë mercenar i Aleksandër Vuçiq dhe përmes presidentit serb u bë mercenar i Vladimir Putin”, shprehet Bytyçi.

Ai e quan fatkeqësi se si Kroacia ka një president si Zoran Milanoviç.

“Këto janë arsyet pse atij i pret shpata mbrapsht. Edhe kundër Kosovës, edhe kundër NATO-s e BE-së e për pasojë pro Serbisë dhe Rusisë. Kisha menduar se bëri kthesë, kur para disa muajve në samitin e NATO-s kërkoi anëtarësimin e Kosovës në Këshill. Ndërkohë që Rama mbronte Serbinë në atë samit dhe as që e përmendi Kosovën, Milanoviç kërkoi me insistim që Kosova të bëhej anëtare e NATO-s. Por mesa duket është penduar për këtë. Dikush në Beograd e në Moskë i ka tërhequr vëmendjen. Fatkeqësi që një vend mik, si Kroacia, ka një president si ky!”.

“Unë kam shkruar vazhdimisht e kam thënë se Shqipëria e Kosova, në vend të një aleance me Serbinë, duhet të drejtohet drejt një aleance me Kroacinë, duke marrë me vete edhe Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi. Vazhdoj ta mbroj këtë ide dhe vizion të marrëdhënieve tona në rajon. Por Zoran Milanoviç është një zhgënjim i madh për mua. E di se kryeministri dhe qeveria nuk mendojnë si presidenti i vendit të tyre. Prandaj dhe nuk shoh ndonjë rrezik real nga këto deklarime. Por është për keqardhje ky qëndrim i tij! Në radhe të parë është për keqardhje për popullin e dhe institucionet e vendit të tij!”, përfundon për “Bota sot”, profesor, doktor Enver Bytyçi.