Paratë që hyjnë nga jashtë vazhdojnë të përbëjnë një burim të rëndësishëm të të ardhurave për ekonominë e Kosovës. Gjatë vitit 2026, remitancat e dërguara nga diaspora kanë shënuar rritje, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e kapitalit të ardhur nga jashtë është orientuar drejt blerjes së patundshmërive.
Të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës tregojnë se gjatë periudhës janar-gusht 2026, remitancat kanë arritur në 984.1 milionë euro. Në të njëjtën periudhë të vitit 2025, diaspora kishte dërguar 922 milionë euro, që paraqet një rritje vjetore prej 6.74 për qind, apo rreth 62.1 milionë euro më shumë, raporton Monitor, transmeton albinfo.ch.
Ndërkohë, të dhënat për investimet direkte tregojnë se deri në fund të korrikut 2026, investimet direkte në Kosovë kanë arritur në 587.26 milionë euro.
Nga kjo shumë, 379.81 milionë euro janë investuar në patundshmëri, kryesisht nga diaspora. Kjo do të thotë se rreth 64.7 për qind e investimeve direkte të regjistruara deri në fund të korrikut janë përqendruar në sektorin e patundshmërive.
Sipas BQK-së, nga totali prej 587.26 milionë eurosh të investimeve direkte, 442.89 milionë euro përbëjnë kapital të ri, 64.05 milionë euro fitim të riinvestuar, ndërsa 80.33 milionë euro janë kredi ndërmjet kompanive investuese.
Në strukturën e investimeve direkte, patundshmëritë kanë një diferencë të madhe në raport me sektorët e tjerë të ekonomisë.
Për gjashtëmujorin e parë të vitit 2026, vetëm 9.6 për qind e investimeve të huaja direkte janë përqendruar në sektorin prodhues, 2.8 për qind në tregti, ndërsa vetëm 2 për qind në energji.



