Di Maria i hapur për të qëndruar te Juventusi

Përkundër thashethemeve të ndryshme se Angel Di Maria është i gatshëm të largohet nga Juventusi në verë, njoftimet e reja pohojnë se argjentinasi është i hapur të qëndrojë në Torino.

Anësori nënshkroi kontratë njëvjeçare me Zonjën e Vjetër në verën e kaluar kur u transferua si futbollist i lirë.

Gjërat nuk filluan mirë për 35-vjeçarin, ndërsa tifozët e kritikuan se po i shfrytëzon Bianconerët për të qëndruar në formë për Kampionatin Botëror, të cilin e fitoi me Argjentinën.

(Foto: Getty)

Mirëpo, gjërat kanë ndryshuar në javët e fundit dhe pas suksesit në Katar, ai po kalon formë të shkëlqyer edhe me klubin.

Tuttosport njofton se Di Maria është duke e shqyrtuar mundësinë e qëndrimit te Juventusi edhe për një sezon dhe është duke e pritur ofertën nga klubi italian.

Për më shumë, pensionimi është akoma larg për argjentinasin, i cili e ka bërë të qartë se dëshiron të jetë pjesë e përfaqësueses së tij për Copa America në verën e vitit 2024.