Dhjetë emigrantë nga Afganistani janë zbuluar në një automjet afër pikëpagesës Otovicë-Veles

Dy nëpunës policorë dhe dy emigrantë kanë marrë lëndime të lehta trupore, pasi mbrëmë në një aksion të policisë para pikë pagesës Otovica – Veles në një automjet janë zbuluar dhjetë emigrantë nga Afganistani.

Siç kumton MPB dje rreth orës 04:50 , para pikëpagesës Otovica – Velesm në një aksion të koordinuar është ndaluar një automjet motorik “folksvagen fejton” me targa të Shkupit, pronë e A.S (24) nga fshati Studeniçan i Shkupit në të cilin janë transportuar emigrantë.

Gjatë ndaljes së automjetit ka ardhur deri në përplasjen e automjetit të policisë “landrover”, me ç’rast lëndime trupore kanë marrë dy nëpunës policorë dhe dy emigrantë, të cilët janë transferuar në Spitalin e përgjithshëm të Velesit.

Rreth orës 6:00 në rrugën lokale për fshatin Otovicë nga liria janë privuar B.I (19) i cili ka drejtuar automjetin për udhëtim “seat” me targa të Shkupit dhe bashkëudhtarët B.B (28) dhe A.I (23) të gjithë nga Shkupi, për shkak dyshimit për lidhje me ngjarjen, pas të cilës janë arrestuar dhe dërguar në stacionin policorë në Veles për procedurë të mëtutjeshme.

Për rastin është njoftuar prokurori publik, ndërsa pas dokumentimit të plotë të rastit do të parashtrohen padi përkatëse.

Emigrantët e zbuluar janë transferuar në Qendrën pranuese-transituese “Vinojug” Gjevgjeli.