Askush nuk mund ta ndalë Liverpoolin në rrugëtimin për fitimin e Premier League-s, madje as Leicester City, që prej javësh kishte marrë atributin e forcës së dytë të kampionatit anglez. “Dhelprat” u thyen keq 0-4 në “King Power Stadium”, ku “mbretëruan” me prepotencë kampionët në fuqi të Europës.
Sulmuesi, që i dha skuadrës së Jurgen Klopp trofeun e Botërorit të Klubeve, braziliani Firmino, ishte pa dyshim më i miri në fushë me dygolëshin e tij. Zhbllokoi takimin në fundit e pjesës së parë, pas krosimit të Alexander-Arnold, si dhe shënoi të dytin personal dhe atë të 3-0 në minutën e 73-të, i shërbyer edhe në këtë rast nga anësori i djathtë (Alexander-Arnold), ndërsa më herët (71’), Milner kishte çuar shifrat në 2-0 me 11-metërsh.
Golin e katërt dhe të fundit të sfidës e shënoi asistuesi i dy golave të Firminos, Alexander-Arnold, me një goditje të bukur nga jashtë zonës, pas një kundërsulmi të shpejtë në minutën e 78-të.
Liverpooli me këtë sukses shkon në kuotën e 52 pikëve, 13 më shumë se Leicesteri dhe 14 më shumë se Manchester City, që luan këtë të premte në fushën e Wolves.