Dhashtë Zoti që çështja jostatutare e Çairit, të mos i ngjasojë asaj të Kumanovës!

Shkruan: Fejzi Hajdari

Emërimi i Bujar Osmanit për koordinator në Çair nga ana e Ali Ahmetit, pikërisht në momentin kur Grupi i Zjarrit tha se e kanë mbajtur tubimin më masovik ndonjëherë në Çair, ka ngjallur jo pak reagime, jo vetëm në BDI, por edhe tek shqiptarët në përgjithësi në Maqedoninë e Veriut. Nxitimthi kreu i Grupit të Zjarrit Izet Mexhiti, veprimin këtillë të kreut partiak, e quajti jostatutar, sepse tipas tij, “nuk ka kaluar në organet e partisë”.

Dhe nëse ky veprim është ndëmarrë pa kaluar filtrat partiako-statutare, s”do të jetë as i pari, e as i fundit.

Sepse, fundja, vlimet dhe përplasjet brenda BDI’së, filluan pikërisht për shkak të mosrespektimit të statuti partiak, gjë që prodhoi një anarki brenda kësaj partie, duke patur si rezultat mungesën e Kryesisë partiake pothuajse për 3 vite me radhë. Dhe çuditërisht edhe pse 3 vite pa kryesi, përfaqësuesit e lartë partiakë sidomos kreu Ali Ahmetit, nuk ngeli çdo ditë duke trumbetuar për frymë demokratike në BDI, debat tolerant brendapartiak, pastaj për “vlera euroatlantike” etj.

BDI-ja ka një eksperiencë jo të mirë me mosrespektimin e Statutit partiak. Ju e dini se gjeneza e problemit dhe mosmarrëveshjes në Degën e Kumanovës, që rezultoi me vrasjen e komandant Shqiponjës, kishte lindur pikërisht për shkak të mosrespektimit të Statutit. Nuk flas këtu për prapavi të njëjtë, por gjykuar sipas zhvillimeve (lëvizjeve), ajo ka shumë elemente të ngjashme me ngjarjet e dikurshme fatale në Degën e Kumanovës.

E gjithë kjo, mund të jetë edhe produkt i frikës, drosë nga masoviteti të cilët (ish)bashkëpartiakët e Ahmetit, e manifestuan, me mbështetjen jashtëzakonisht të madhe nga pjesëmarrësit në Shkup. Bile, sic thuhet, një mbështetje e tillë kaq e madhe, është manifestuar për herë të parë në Shkup.

Dhe ajo që të bënë për tu habitur në këto zhvillime, është vendimi tepër i guximshëm i Ahmetit, për të emëruar një kuadër partiak për Çairin, jashtë vullnetit politikë të gjithë atyre mbështetës të Grupit të Zjarrit. Vendimi i Ahmetit ka ngjallë një habi tepër të madhe, që askush mirë s’e kupton, por se i ngjason disa lojërave të mëparshme të Aliut kur nuk arrinte t’i kontrollonte grupet rivale brenda partisë, këtë s’e vë në pikëpyetje askush.

Dhe ndoshta përgjigjja ështe tek ky momenti i fundit…, Pra në mungesën e kapacitetit të politik për ta menaxhuar situatën shumë elektrisuese dhe për ta mbajtur nën kontroll Grupin e Zjarrit, lidershipi i “selisë blu”, është përcaktuar për strategjinë: “Përçaj dhe sundo”! Por, a do ta ketë lehtë kësaj radhe Ahmeti me Mexhitin, i cili po demonstron masovitet të paparë brenda partisë, mbetet të shihet. Dhashtë Zoti, Dega e Çairit të mos pësojë fatalitetin e Degës së Kumanovës! Dikush si duket ka nevojë për ujë të turbullt!