Detyrimi për vaksinim, zjarrfikësit francez hyjnë në grevë

Zjarrfikësit në Francë, të cilët janë në mesin e grupeve profesionale për të cilët është vendosur detyrimi për t’u vaksinuar në kuadër të luftës kundër koronavirusit të ri (COVID-19), kanë marrë vendim që të hyjnë në grevë, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë nga FA SPP-PATS, një nga sindikatat kryesore ku janë organizuar zjarrfikësit, njoftohet se zjarrfikësit anëtarë të sindikatës do të hyjnë në grevë pa afat që nga 9 gushti për të protestuar kundër detyrimit të vaksinimit.

“Ligji për menaxhimin e krizës shëndetësore i cili e bën të detyrueshëm vaksinimin e zjarrfikësve shkel kushtetutën”, thuhet në deklaratë në të cilën vihet në dukje se shpresohet që Këshilli Kushtetues do të heqë këtë masë në ligj.

Në anën tjetër bëhet e ditur se shifra e rasteve ditore të COVID-19 në Francë ka arritur afro 30 mijë.

Sipas të dhënave nga Agjencia e Shëndetit Publik, me 28.784 rastet e reja në 24 orët e fundit, numri i rasteve deri më tani ka arritur në 6.207.416.

Ndërsa me 53 vdekje në 24 orët e fundit, numri i përgjithshëm i viktimave nga COVID-19 shkoi në 112.081. Në spitale vazhdojnë trajtimin 8.134 persona, prej të cilëve 1.371 në kujdesin intensiv.

Ndërkohë, norma e rezultateve pozitive të testeve për COVID-19 në 7 ditët e fundit është regjistruar në 4,1 për qind.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, që nga 27 dhjetori i vitit 2020 e deri më tani numri i personave që kanë marrë vaksinën kundër COVID-19 ka arritur në 43.684.272, prej të cilëve 36.315.549 kanë marrë dozën e dytë ose të tretë të vaksinës.