Dështon të mbahet shqyrtimi i dytë në procesin gjyqësor ndaj ministres Nagavci

Për shkak se ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), Arbërie Nagavci, nuk është pajisur me të gjitha provat nga ana e Prokurorisë, është shtyrë seanca e shqyrtimit të dytë të mërkurën, në rastin ku Nagavci po akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

“Unë jam pajisur me shkresat e lëndës nga zyra e prokurores, por jo edhe me CD-të”, tha Nagavci.

Lidhur me këtë, prokurorja Merrushe Llugiqi deklaroi se prokuroria nuk i disponon këto video-incizime, duke shtuar se të njëjtat gjenden në një lëndë tjetër.

Në fund, e akuzuara Nagavci tha se është e interesuar që t’i ketë këto prova, duke lutur gjykatën që brenda ditës, eventualisht nesër të pajiset me të njëjtat, në mënyrë që të vazhdohet tutje me këtë çështje, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pasi që nuk kishte propozime të tjera, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Naime Krasniqi-Jashanica e ndërpreu këtë shqyrtim dhe vazhdimi i shqyrtimit të dytë u caktua të mbahet më 29 korrik 2022.

Ndryshe, në seancën fillestare të mbajtur më 10 qershor 2022, Nagavci ishte deklaruar e pafajshme lidhur me veprën penale që i vihet barrë.

Sipas aktakuzës, e cila është ngritur më 30 korrik 2019 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Nagavci po akuzohet për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Aktakuza thotë se më 21 mars 2018, e pandehura Nagavci në mënyrë të paautorizuar dhe në kundërshtim me ligjin mbi armët ka mbajtur në posedim sprejin me ngjyrë të gjelbër, me pjesë spërkatëse të zezë me mbishkrimin “NATO American Style”.

Tutje, në aktakuzë thuhet se deri sa gjatë mbajtës se seancave në sallën e Kuvendit të Republikës së Kosovës ku ka pasur hudhje të gazit lotsjellës nga disa deputetë, policia për të parandaluar hudhjen e serishme të gazit ka kontrolluar në mënyrë fizike nëpër trup gjithë deputetët.

E gjatë kontrollit trupor të të pandehurës Nagavci, akti akuzues thotë se asaj i është gjetur dhe sekuestruar spreji i lartcekur.

Me këtë, ajo po akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374 paragrafi 1 të Kodit Penale të Republikës së Kosovës, vepër kjo e dënueshme me gjobë deri në 7 mijë e 500 euro ose me burgim deri në pesë vjet.