Deri tani janë vaksinuar 700 kumanovarë, asnjëri nuk ka komplikime

Nga fillimi i imunizimit e deri tani, në Shtëpinë e Shëndetit në Kumanovë janë vaksinuar mbi 700 qytetarë të moshuar. Në terminin e caktuar nga mjeku amë, fillimisht vaksinohen qytetarët e moshës mbi 77 vjeçare, e pastaj ata mbi 75 dhe 73 vjeçare.
Procesi i imunizimit mbi 90 për qind ka përfunduar edhe në Shtëpinë për persona të moshuar “Zafir Sajto”. Të gjithë ata e kanë pranuar vaksinën “Astra Zeneca” dhe deri tani nuk është paraqitur ndonjë komplikim ose pasoja të padëshiruara, transmeton gazeta Lajm.
Autoritetet shëndetësore në Kumanovë presin udhëzime nga Ministria e shëndetësisë për organizim të imunizimit masovik, që do të zbatohej në ndonjërën prej sallave të sportit në qytet.
Në turnin e parë Shtëpia e shëndetit në Kumanovë ka pranuar 1.000 vaksina “Astra Zeneca” për vaksinim të qytetarëve të moshuar.
Mbi 100 kumanovarë vaksinën e kanë pranuar në Serbi.