Rreth pesë muaj më parë, Qyteti i Shkupit dhe Ministria e Shëndetësisë njoftuan se problemi me parkimin në kompleksin e klinikave “Nëna Terezë” do të zgjidhet përmes ndërtimit të disa garazheve montuese, të vendosura mbi parkingjet ekzistuese. Për këto garazhe, siç na informuan nga Qyteti, do të shpallet tender për projektimin, furnizimin dhe montimin e tyre, shkruan Sloboden Peçat, përcjell PressOnline.al.
Shtylla ka, por një pjesë e madhe janë shkatërruar
Problemi me parkingun në Qendrën Klinike ekziston prej vitesh, por në të kaluarën nuk janë paralajmëruar dhe as nuk janë zbatuar aksione më të mëdha të këtij lloji. Vetëm në disa raste janë vendosur shtylla metalike dhe gome në shumicën e trotuareve, shtigjeve për këmbësorë dhe hyrjeve të klinikave.
Sot, shtyllat metalike, siç pritej, në pjesën më të madhe kanë rezultuar si zgjidhje e qëlluar, përveç disa lokacioneve ku dikush i ka shkulur me forcë. Me to, megjithatë, është vendosur njëfarë rendi në parkim. Problemi mbetet te shtyllat prej gome, sepse nga qindra të tilla të vendosura nëpër kompleks, ndoshta vetëm rreth dhjetë janë të paprekura dhe të padëmtuara nga automjetet. Pothuajse të gjitha shtyllat plastike janë shkelur, shkatërruar dhe shkulur, gjë që konfirmon faktin se montimi i tyre ka qenë shpenzim i kotë i mjeteve, duke pasur parasysh se ato prej kohësh nuk e kryejnë më funksionin për të cilin ishin vendosur.
Parking i modernizuar në Qendrën Klinike
Bisedimet për vendosjen e garazheve montuese nisën që në kohën kur ministër i Shëndetësisë ishte Arben Taravari, gjatë mandatit të të cilit po negociohej projekti kontrovers me kompaninë “Gjoka Construction” nga Shqipëria. Përmes këtij projekti, kompania duhej të merrte pothuajse të gjithë fitimin nga pagesa e parkimit, ndërsa për Ministrinë parashiheshin të ardhura mujore shumë më të vogla. Ky marrëveshje u kundërshtua fuqishëm në opinion, për çka edhe nuk u realizua asnjëherë.
Pas largimit të Taravarit nga Qeveria, pasardhësi i tij, Azir Aliu, paralajmëroi modernizimin e parkimit në kompleksin “Nëna Terezë” – çmimore të re, kode QR, rezervim të vendeve të parkimit përmes aplikacionit, si dhe ndërtimin e tri garazheve montuese dykatëshe, me të cilat do të rritej kapaciteti i parkingjeve.
Ky paralajmërim u konfirmua dhe iu afrua realizimit rreth katër muaj më parë, kur propozimi kaloi në seancë të Qeverisë, pas së cilës Aliu i prezantoi projeksionet se si do të dukej mënyra e re e parkimit.
Aliu paralajmëroi se për hyrje në Qendrën Klinike do të vendoset sistem i parkimit të mençur, me sensorë për detektimin e vendeve të lira, tabela informative, udhëzues digjital dhe kamera për regjistrim automatik të automjeteve, të cilat do të jenë të lidhura me sistem fiskal. Pagesa do të bëhet përmes aplikacionit ose me para në dorë.
Në parking do të mund të rezervohet paraprakisht vend përmes aplikacionit, ndërsa pacientët këtë do të mund ta bëjnë edhe përmes skanimit të kodit QR që do të jetë i vendosur në çdo udhëzim mjekësor.
Sa u përket çmimeve të parkimit, ai bëri të ditur se planifikohet të ketë katër lloje pagesash për parkim: për të punësuarit, për pacientët dhe për vizitorët, ndërsa parkimi do të jetë falas për pacientët onkologjikë.
Qyteti do të ndërtojë dy garazhe, ndërsa Aliu paralajmëroi tre
Fillimisht, kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, njoftoi se ishte takuar me përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë dhe se ishte arritur marrëveshje për ndërtimin e dy garazheve montuese, përmes të cilave do të siguroheshin 500 vende të reja parkimi në Qendrën Klinike.
Megjithatë, dy javë pas këtij paralajmërimi, numri i garazheve montuese që duhet të ndërtohen u rrit në tri, pasi ministri i Shëndetësisë, Aliu, promovoi sistemin e ri smart-parking, i cili gjithashtu ende nuk është implementuar në kampusin e “Nënë Terezës”.
Siç u paralajmërua në disa raste, ai atëherë theksoi se garazhet katëshe duhet të vendosen pranë Klinikës Infektive, në parkingun pranë Klinikës së Gjinekologjisë dhe Obstetrikës, ndërsa e treta do të jetë pranë heliodromit. Aliu atëherë njoftoi se pret që deri në qershor të ndërtohet edhe një hyrje e re në kampus nga ana e Klinikës së Kardiologjisë.
“Garazhet në kate do të vendosen në tri lokacione: njëra pranë Klinikës Infektive, tjetra në afërsi të Klinikës së Gjinekologjisë dhe e treta pranë heliodromit. Garazhi më i madh është paraparë të jetë ai pranë Klinikës Infektive, sepse aty ka më shumë hapësirë dhe aty do të ketë edhe hyrje të veçantë për në kompleksin e klinikave. Do të hapet edhe një hyrje e re në kampus pranë Klinikës së Kardiologjisë dhe Kardiokirurgjisë Shtetërore, e dedikuar për pacientët në gjendje kërcënuese për jetën, me qëllim që të mundësohet qasje më e shpejtë deri te shërbimet shëndetësore. Pres që kjo të jetë gati deri në qershor”, tha Aliu.
Ministri shtoi se Qyteti do t’i projektojë dhe do t’i ndërtojë tri garazhet katëshe në kuadër të një marrëveshjeje që do të lidhet për 15 vjet, ndërsa Qyteti i Shkupit do të ketë në dispozicion nga 1.200 deri në 1.500 vende parkimi.
Deri më 15 korrik do të shpallet tenderi
Duke marrë parasysh se nga paralajmërimi kanë kaluar rreth pesë muaj, “Sloboden Peçat” i dërgoi pyetje Qytetit të Shkupit se deri ku është hartimi i projektit dhe kur pritet të nisë ndërtimi i garazheve katëshe, përcjell PressOnline.al.
Nga Qyteti informuan se së shpejti do të përgatitet tenderi për projektimin, furnizimin dhe montimin e garazheve katëshe, i cili, siç thonë, duhet të publikohet në gjysmën e parë të muajit të ardhshëm.
“Në fazë finale është përgatitja e dokumentacionit të tenderit për projektin për vendosjen e garazheve katëshe në kuadër të Qendrës Klinike. Tenderi për projektimin, furnizimin dhe montimin e garazheve katëshe është planifikuar të shpallet në gjysmën e parë të korrikut. Për këtë arsye, në këtë moment ai ende nuk është shpallur, sepse po finalizohet i gjithë dokumentacioni i nevojshëm për zbatimin e procedurës”, thonë nga Qyteti për “Sloboden Peçat”, përcjell PressOnline.al.
Prej atje shtuan se pas përfundimit të procedurës së tenderit, do të duhet të sigurohen të gjitha lejet e nevojshme. Pasi të merren lejet, atëherë do të nisë realizimi i projektit, përkatësisht montimi i dy garazheve të planifikuara katëshe.
“Pas përfundimit të procedurës së tenderit, do të vijojë sigurimi i të gjitha lejeve të parapara me ligj. Pasi të përfundojnë këto parakushte, do të nisë realizimi dhe montimi i garazheve katëshe, ndërsa pas përfundimit të tyre ato do të vihen në funksion. Vazhdimisht po punohet në përmirësimin dhe avancimin e sistemit me kod QR, i cili funksionon pa pengesa dhe është i qasshëm për përdorim në çdo kohë”, thonë nga Qyteti i Shkupit për “Sloboden Peçat”. (PressOnline.al)





