Bashkimi Demokratik për Integrim opozitar ka thirrur protestë për nesër (26 qershor) në sheshin e Tetovës. Kjo pasi Gjykata Kushtetuese solli vendim me të cilin i shfuqizoi emrat e rrugëve të vitit 2007, pasi BDI-ja aso kohe kur ishte në pushtet e kishte miratuar vendimin pa pëlqim të qeverisë siç e kërkon ligji, ndërkaq lidershipi aktual komunal i udhëhequr nga VLEN edhe pse mundi, nuk ndërmori asnjë veprim për ta parandaluar shfuqizimin nga gjykata, shkruan Portalb.mk.
Marshi protestues do të fillojë në ora 20:00 në sheshin e qytetit.
Bajram Rexhepi nga BDI ka njoftuar se ky vendim u mor mbrëmë, siç thotë pas heshtjes së Komunës së Tetovës ndaj kërkesës së tyre për seancë urgjente ku kërkuan rimiratim të vendimit për emrat e rrugëve dhe pas arsyetimit të Gjykatës Kushtetuese.
“Kjo nuk është vetëm çështje emrash rrugësh. Është tentativë për të mohuar Rilindasit, historinë, trashëgiminë dhe çdo të arritur shqiptare të ndërtuar me sakrificë në 20 vitet e fundit. Tetova është djepi i kulturës, arsimit dhe krenarisë shqiptare. Këtu kanë nisur dhe do të nisin lëvizjet që i çojnë shqiptarët përpara. Prandaj, nuk pranojmë të kthehemi pas dhe nuk pranojmë asgjë më pak se dinjitetin tonë të plotë”, tha Rexhepi.
Në ndërkohë, nga Komuna e Tetovës nuk iu përgjigjën pyetjeve të Portalb.mk se pse nuk thërrasin seancë të jashtëzakonshme siç kanë kërkuar nga opozita, pse nuk reaguan gjatë kohës kur gjykata hapi lëndë që të miratonin vendim në bazë të ligjit në mënyrë që gjykata të mos mundej ta shfuqizonte vendimin, si dhe kur do të përfundojë procesi i riemërimit të rrugëve i cili po zvarritet me vite.
Paraprakisht, nga Komuna e Tetovës kanë deklaruar se çështja edhe e emrave të shfuqizuar do të zgjidhjet me procesin i cili ka filluar në komunë tani e disa kohë, por pa dhënë ndonjë afat konkret, sipas tyre pritet që kjo të zgjidhet brenda këtij viti, por pa e specifikuar se kur.
Kronologjia e ngjarjes
Në opinion kanë vërshuar reagimet dhe akuzat pasi Gjykata Kushtetuese e shfuqizoi vendimin e vitit 2007 me të cilin Komuna e Tetovës i ndryshoi emrat e disa rrugëve dhe sheshit të qytetit. Por si qëndron e vërteta, si filloi gjithçka dhe pse u shfuqizuan këto emra, Portalb.mk sjell një kronologji të të gjithë procesit ndër vite.
Gjithçka nisi në 2007
Më 24.04.2007 në kohën kur Komuna e Tetovës udhëhiqej nga BDI-ja, kur kryetar ishte Hazbi Lika, Këshilli Komunal solli vendim për ndryshimin e emrit të sheshit dhe disa rrugëve nga emrat periudhës së komunizmit në emra të tjerë.
Sheshi i qytetit dhe shtatë rrugë morën emra në gjuhën shqipe, ndërsa tre rrugë u riemëruan në maqedonisht, edhe atë si vijon:
- Sheshi i qytetit “Marshall Tito” u emërua ‘Iliria’.
- Rruga ‘Marshall Tito’ u emërua ‘Iliria’.
- Rruga ‘JNA’ prej Kullës në rrugën ‘Ilindenska’ deri te udhëkryqi i rrugës ‘Bllagoja Toska’ u emërua ‘Dervish Cara’.
- Pjesa nga rruga ‘JNA’ prej udhëkryqit në rrugën ’Bllagoja Toska’ deri në fund të rrugës ‘JNA’ u emërua ‘Solunski Atentatori – Geminxhii’.
- Rruga ‘29 Nëntori’ u emërua ‘Mehmet Pashë Deralla’.
- Rruga ‘I.R.Llolla’ deri te Shkolla e Muzikës u emërua ‘Kongresi i Manastirit’..
- Pjesa nga rruga ‘I.R.Llolla’ nga Shkolla e Muzikës deri te udhëkryqi te Stadiumi i qytetit u emërua ‘Krushevska Republika’.
- Pjesa e rrugës ‘I.R.Llolla’ nga udhëkryqi te Stadiumi i qytetit deri në Poroj-Xhepçisht u emërua ‘Dëshmorët e Kombit’.
- Rruga ‘Boris Kidriç’ u emërua ‘Metodi Andonov Çento’.
- Rruga ‘R.Coniq’ u emërua në ‘Abdyl Frashëri’.
- Rruga ‘Lenin’ u emërua në ‘Sami Frashëri’.
Sipas Ligjit për përcaktimin e emrave të rrugëve, shesheve, urave dhe objekteve të tjera infrastrukturore, ky proces duhej të merrte pëlqim nga Qeveria.
Megjithatë ky vendim nuk mori pëlqim nga Qeveria e atëhershme e udhëhequr nga VMRO-DPMNE dhe PDSH.
Si rezultat, emrat e ri të rrugëve nuk figuruan në Kadastër dhe në Regjistrin Qendror, por u përdorën vetëm nga Komuna e Tetovës.
Nga institucionet qendrore vazhduan me vite të përdoren emrat e vjetër.
Në 2025 Lidhja e Luftëtarëve nga LNA-ja e kontestoi vendimin në Gjykatën Kushtetuese
Më 11.02.2025, Lidhja e Luftëtarëve nga Lufta Nacionalçlirimtare dhe Antifashiste e Maqedonisë 1941-1945, parashtroi nismë në Gjykatën Kushtetuese për vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit të Këshillit Komunal të Tetovës me të cilin u ndryshuan emrat e rrugëve, gati dy dekada më vonë.
Sipas pretendimeve në iniciativë, vendimi i kontestuar është në kundërshtim me nenin 8 paragrafi 1 alineja 3 dhe nenin 51 të Kushtetutës, si dhe me nenin 5 paragrafi 2 të Ligjit për përcaktimin e emrave të rrugëve, shesheve, urave dhe objekteve të tjera infrastrukturore.
Në mars 2026 Gjykata Kushtetuese e pranoi nismën dhe hapi lëndë
Më 04.03.2026, Gjykata Kushtetuese solli vendim me të cilin hapi lëndë për vlerësimin e kushtetutshmërisë për ndryshimin e emrave të disa rrugëve dhe sheshit në Tetovë.
Qershor 2026, Gjykata Kushtetuese e shfuqizoi vendimin
Më 17.06.2026, me 5 vota “për” nga gjykatësit maqedonas, dhe votim ‘kundër’ nga dy gjyqtarët shqiptarë dhe ai i turk, Gjykata Kushtetuese e shfuqizoi vendimin e vitit 2007 me të cilin u bënë ndryshimet e emrave të disa rrugëve dhe sheshit të qytetit.
Çili është arsyetimi i Gjykatës Kushtetuese?
Njoftimi i plotë i Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e vendimit për emrat e rrugëve të vitit 2007 në Tetovë:
Gjatë procedurës, për shkak të mosdorëzimit të dokumentacionit të plotë, Gjykata në katër raste kërkoi nga Komuna e Tetovës që të dorëzonte të gjithë dokumentacionin që i kishte paraprirë miratimit të vendimit të kontestuar. Megjithatë, nga ana e Komunës nuk u dorëzua as pëlqimi dhe as kërkesa për pëlqim që ishte dërguar te Qeveria, por vetëm Lista e emrave të rrugëve, shesheve, urave dhe objekteve të tjera infrastrukturore në Komunën e Tetovës, e miratuar më 30.11.2006.
Më tej, Gjykata Kushtetuese në tri raste kërkoi nga Qeveria që të dorëzonte pëlqimin e kërkuar, por ai nuk u dorëzua.
Si rrjedhojë, nga shqyrtimi i dokumentacionit të dorëzuar u konstatua se Komuna e Tetovës nuk kishte paraqitur kërkesë pranë Qeverisë për marrjen e pëlqimit të nevojshëm dhe as nuk ekzistonte akt me të cilin Qeveria kishte dhënë pëlqim për Listën, në përputhje me nenin 5, paragrafi 2 të Ligjit për përcaktimin e emrave të rrugëve, shesheve, urave dhe objekteve të tjera infrastrukturore. Për këtë arsye, Gjykata konstatoi se ky kusht ligjor nuk ishte përmbushur.
Sipas nenit 5, paragrafi 2 të Ligjit për përcaktimin e emrave të rrugëve, shesheve, urave dhe objekteve të tjera infrastrukturore, për miratimin e vendimi për ndryshimin e emrave kërkohet pëlqimi paraprak i Qeverisë.
Me miratimin e vendimit pa pëlqimin e nevojshëm të Qeverisë, Komuna e Tetovës ka shkelur parimin e sundimit të ligjit, të përcaktuar në nenin 8, paragrafi 1, alineja 3 dhe nenin 51 të Kushtetutës, si dhe nenin 5, paragrafi 2 të Ligjit për përcaktimin e emrave të rrugëve, shesheve, urave dhe objekteve të tjera infrastrukturore.
Komuna e Tetovës pati mundësi ta parandalonte shfuqizimin e vendimit
Udhëheqësia aktuale e Komunës së Tetovës e udhëhequr nga VLEN ka pasur mundësi që ta parandalojë Gjykatën Kushtetuese që të mos e shfuqizojë vendimin e vitit 2007 me të cilin Komuna e Tetovës i ndryshoi emrat e disa rrugëve dhe sheshit të qytetit, pasi BDI-ja në vitin 2007 e zhvilloi procedurën duke mos e respektuar në tërësi ligjin, por udhëheqësia komunale aktuale nuk veproi.
Nëse pas dorëzimit të nismës (shkurt 2025) dhe hapjes së lëndës (mars 2026) në Gjykatën Kushtetuese, Këshilli Komunal i Tetovës do të sillte vendim me të cilin vendimi i vitit 2007 do të shpallej i pavlefshëm dhe të votonte vendim të ri me pëlqimin e Qeverisë, atëherë Gjykata Kushtetuese nuk do të kishte bazë për ta vazhduar procedurën të cilën e hapi në mars. Sipas Nenit 39 të Aktit të Gjykatës Kushtetuese, procedura do të ndërpritej. Por kjo nuk ndodhi dhe gjykata e shfuqizoi vendimin e vitit 2007, me çka rikthehen emrat e vjetër nga periudha e komunizmit.
Nismë e re për ndryshimin e emrave të rrugëve në Tetovë që nga 2022 por pa epilog
Procesi i riemërimit të rrugëve në Tetovë filloi por nuk arriti të përfundojë gjatë administratës komunale 2021/25 dhe procesi u ndërpre pak para zgjedhjeve lokale.
Grupi i punës për këtë çështje u riformua në janar të këtij viti, ndërsa gjashtë muaj më vonë ende nuk ka diçka konkrete.
Albi Qamili, i cili është kryetar i këtij grupi punues tha se po punohet intenzivisht dhe se procesi është në fazën finale, ku janë pranuar 600 propozime për riemërimn e rrugëve.
Ai tha se me procesin për riemërimin e rrugëve, këto emra si që kanë qenë në vendimin e vitit 2007 do të barten në vendimin e ri, pra, do të mbeten.
“Nuk mund të jap afate, ajo që jam i sigurt është se brenda këtij viti do përfundojë si proces”, tha Qamili.
Nga opozita kanë kritikuar për zvarritje të procesit.
Edhe më herët në Tetovë ka pasur nisma të tilla që nuk kanë shkuar deri në fund.



