Deputeti i PDK-së e quan tradhtar Bislimin: Kurti po bën krizë në veri për ta mbuluar tradhtinë ndaj vendit – VV ka synim zbrazjen e Kosovës

Hisen Berisha, deputet i PDK-së, ka kritikuar Qeverinë Kurti, për çështjen e dialogut, të marrëveshjeve të arritura e dorëzimin për veriun.Ai në një intervistë për Gazeta Blic, thotë se Qeveria që nga shtatori i vitit 2021 e deri më tani, çdo vendim e ka marrë në dëm të vendit.

“Kjo qeveri, prej shtatorit 2021 e deri në ditën e sotme, çdo vendim që e ka marrë, e ka marrë ndesh me partnerët ndërkombëtarë, pastaj e ka shkaktuar dëmin dhe është tërhequr me marrëveshje të dëmshme për shtetin. Fillon nga ajo e targave, lëvizjes së lirë, Asociacionin e ka marrë nga numër 39 e ka bërë kusht për të ecur përpara, e deri te marrëveshja e Brukselit dhe Ohrit. Të gjitha këto i kanë bërë dhe pastaj janë tërhequr dhe kanë deklaruar nuk e pranojmë këtë marrëveshje, pastaj presidentja thoshte nuk pres marrëveshje pa njohje në qendër e në Bruksel ishte bërë marrëveshja dhe njohja ishte hequr krejtësisht por edhe ndryshimet kushtetuese sepse Serbia për 10 vjet nuk obligohet për asgjë, përveç marrëveshjeve që kanë qenë”, thotë ai.Sipas Berishës, qeveria të drejtën e asociacionit ia ka lënë BE-së, ndërsa që Lajçak dhe Kurti po i sjellin krizat e Beogradit në veri, ndërsa që Kurti e ka bartur krizën e veriut në Kuvend, që t’i mbulojë tradhtitë ndaj vendit që i ka bërë.

“Pastaj nuk e ka pranuar propozimin për asociacion të grupit të vetë që e ka bërë atë dhe ia ka hequr Kosovës të drejtën e interpretimit, duke ia lënë këtë të drejtë BE-së në mirëbesim Lajçakut, i cili ka qenë ai që ka thënë se Kushtetuta nuk është as Bibël e as Kuran, ndërsa që Kushtetuta është i vetmi gardian që po e ruan sot Kosovën. Prandaj, dështimin e vet tani Lajçaku po mundohet ta mbulojë me këto kriza në veri, siç po bën edhe ky kryeministër, duke shkaktuar kriza në veri dhe duke e bartur krizën deri në veri nga Beogradi, e po ashtu e ka bartur krizën nga veriu në parlamentin e Kosovës për ta mbuluar implementimin e tradhtisë së madhe që ia kanë bërë vendit me marrëveshjet e arritura”, shton ai.

Ai thotë se njësia speciale nuk është dashur të dërgohet në veri pasi ajo përfaqëson dhunë dhe se duhet të jetë e pranishme vetëm për të sanuar dhunën dhe të tërhiqen.
Berisha po ashtu thotë se ka qenë i pari që ka propozuar që të mbahen zgjedhjet në veri, si zgjidhja e vetme, por para se të mbahen zgjedhjet duhet të plotësohen disa kushte.Ai thotë se tani Kurti me një deklaratë gojore po shpall zgjedhje, që është joligjore.

“Këta i pranuan kushtet, u tërhoqën nga këmbëngulësia, kryeneçësia, ai patriotizmi që e nxitën në masa kundër Amerikës e kundër BE-së e kundër NATO-s, tani u tërhoqën. Por si u tërhoqën? Ky nuk guxon ta tërheqë policinë me përqindje 25 për qind pasi policia përcaktohet sipas disa standardeve në një territor. Dhe kjo është shkelje kushtetuese dhe ligjore. Po ashtu, për zgjedhjet në veri presidentja i mësoi si të veprojnë serbët, me nënshkrime, ndërsa tani ranë poshtë nënshkrimet, tani me një deklaratë të tij po shpallen zgjedhjet. Edhe kjo është shkelje ligjore. Ose duhet të ndodh dorëheqja e kryetarëve, gjë që nuk ka ndodhur dhe ky po thotë ka zgjedhje me një deklaratë gojore, me një pranim. Është një doktrinë e rrezikshme, një doktrinë që ky në vazhdimësi po e ndjek dhe ky e ka thënë me zë, një doktrinë që tregon se sa i rrezikshëm është ai për Kosovën, e ajo ka qenë që e thotë tekstualisht, e ka me zë: “Millosheviqi i realizoi të gjitha objektivat e tij duke u përplasur me bashkësinë ndërkombëtare. Ky ishte shansi ynë”. Po përplasjet e tij me bashkësinë ndërkombëtare shans i kujt janë”, potencon deputeti i PDK-së.Ndërsa, sa i përket deklaratës së Bislimit për BE-në, Berisha thotë se ai nuk është askushi që t’i vendosë kushte Bashkimit Evropian.

“Deklarata e Bislimit se nuk i përmbushim kriteret, nuk i shpallim zgjedhjet pa u hequr masat dhe sanksionet e BE-së. Kjo është retorika e mashtruesve. Pushtetet që vijnë përmes mashtrimit, gënjeshtrës, e kanë propagandën mekanizmin kryesor me të cilin e mbajnë opinionin dhe në propagandë futen të gjitha shpifjet, insinuata dhe kjo teori, kjo qasje, ke bërë marrëveshje, i ke pranuar kushtet të cilat janë antikushtetuese e tash del e thotë që ne nuk i zbatojmë pa i hequr masat BE-ja”, thekson ai.Deputeti thotë se VV ka mision zbrazjen e Kosovës në 800 mijë persona, teksa vlerëson se partia që qeverisë jeton në paranoja dhe shpall armiq, fillimisht opozitën e më pas dhe Amerikën.

“Me këtë rrënim që i kanë bërë, me këtë mjerim që e kanë sjellë në vend, afër 200 mijë njerëz kanë ikur nga këtu dhe është mision i tyre që Kosovën ta zbrazin nga 1.8 milion në 800 mijë njerëz, e kanë mision, mbajeni në mend këtë dhe tani del një kryenegociator i të gjitha marrëveshjeve të dëmshme dhe tradhtive ndaj Kosovës dhe thotë se ne nuk e bëjmë këtë, pa i hequr BE masat. Bashkimi Evropian është ai që vendos kushte, edhe pse në aspektin diplomatik ka dështuar ndaj Kosovës sepse kemi dështuar ne kur e kemi tërhequr Kosovën nga agjenda amerikane dhe e kemi vendosur në agjendë evropiane dhe tani është kthyer në një proces ku të gjitha temat janë të hapura, ku flitet për autonomi në veri. Kush do ta mbrojë tani vendin tani nga ky kryeministër dhe ky kryenegociator mashtrues? Këta janë mashtrues tipik që me propagandë mundohen çdo gjë. Këta nga paranoja fillojnë të shpikin armiq, dhe armiqtë e parë i kanë shpikur opozitën duke i barazuar me Vuçiqin, pastaj i shpikën Amerikën duke e rritur në mënyrë rapide anti amerikanizmin këtu”, deklaron deputeti Hisen Berisha.