Deputeti gjerman, Escobarit: Kushtet për anëtarësim të Kosovës në KiE i përcakton AP-ja

Emisari special amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, deklaroi të premten (15 mars) se për anëtarësim në Këshillin e Evropës, Kosovës i duhet t’i plotësojë edhe dy kushte.

Njëri, sipas tij, ka të bëjë me disa shpronësime në veri, ndërsa tjera është themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ai tha se “këto kushte janë përmendur nga Këshilli i Evropës dhe që po i kërkojnë disa vende evropiane”.

Megjithatë, Knut Abraham, deputet gjerman, ka thënë se Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës (PACE) do të përcaktojë në mënyrë të pavarur kriteret për anëtarësimin e Kosovës në KiE.

“I vlerësojmë brengat e Escobarit, por mund ta sigurojë atë se PACE do të përcaktojë në mënyrë të pavarur kriteret për KiE dhe do të vlerësojë përmbushjen e tyre”, tha Abraham në një postim në X.

Ndër të tjera, ai tha se kriteret për anëtarësim në KiE, ShBA-ja nuk t’i përmbushte “për shkak të dënimit me vdekje”.

Deputeti gjerman nga CDU/CSU, të mërkurën (13 mars) tha se është lajm i mirë nga Kosova vendimi për regjistrimin e pronës së Manastirit të Deçanit sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Ai, me anë të një postimi në platformën X, ka theksuar se ky vendim i Qeverisë së Kosovës ia hapë dyert vendit për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

“Lajm i mirë sot nga Kosova! Me zbatimin e aktgjykimit të Manastirit të Deçanit, Kosovës i hapen dyert për anëtarësim në Këshillin e Evropës në maj!”, shkroi Abraham në X. /Klankosova.tv