Deputetët e Parlamentit Evropian bëjnë thirrje që të ndalohet dhuna e policisë në Francë

Një grup deputetësh nga Parlamenti Evropian (PE) kërkuan që të ndalet dhuna e policisë ndaj protestuesve kundër reformës së pensioneve në Francë.

Deputetët e grupit të majtë në PE protestuan para ndërtesës së PE-së në Bruksel të Belgjikës, shkruan Anadolu, transmeton Klankosova.tv.

Më shumë se 20 deputetë, që mbanin pankarta “Stop brutalitetit të policisë në Francë”, akuzuan policinë franceze për dhunë brutale ndaj protestuesve.

Në një deklaratë nga Grupi i Majtë në PE u theksua se njerëzit në Francë u përballën me dhunën policore gjatë ushtrimit të së drejtës së tyre për demonstrim demokratik.

“Sot, deputetët e PE-së po japin një mesazh nga parlamenti kundër dhunës policore. Dhuna nuk mund të jetë justifikim. Ne nuk mund të tolerojmë abuzimin e pushtetit”, tha Grupi i Majtë i PE-së.

Në Francë prej disa kohësh po zhvillohen protesta dhe greva kundër reformës së diskutueshme të pensioneve, e cila përfshin rritjen e moshës së pensionit nga 62 në 64-vjeç, të cilën qeveria e miratoi drejtpërdrejt pa votim në parlament.