Depay e konfirmon se Barcelona është e interesuar për të

Memphis Depay e ka pranuar se është i vetëdijshëm për qëllimet e Barcelonës për ta blerë nga Lyoni, por nuk është tamam i sigurt nëse kalimi i tij në Camp Nou do të ndodhë vërtet këtë verë.

Që prej se Ronald Koeman u emërua trajner i ri i Barcelonës muajin e kaluar, për Depayn është përfolur se do t’i bashkohet atij në La Liga.

Koeman dhe Depay kanë bashkëpunuar në ekipin kombëtar të Holandës vitet e fundit, deri në momentin kur ky i fundit e mori drejtimin e Barçës.

Presidenti i Lyonit, Jean-Michel Aulas, tha të dielën se Barcelona nuk është klubi i vetëm i interesuar për holandezin, sepse edhe Roma nga Serie A ka shfaqur interesim të madh.

Derisa Depay e ka pranuar se mund të largohet nga klubi i Ligue 1 këtë verë, ai këmbëngul se nuk e di të ardhmen e vet.

“Duhet ta shohim se çfarë do të ndodhë. Do të raportoj në klub (Lyon) nesër dhe do ta shohim se çfarë ndodh”, tha Depay pas humbjes së Holandës kundër Italisë në Ligën e Kombeve të hënën.

“Nuk kam dëgjuar shumë prej menaxherit tim. E di që ka interesim për mua, por nuk mund të them më shumë sepse nuk di shumë për këtë punë”, shtoi ai.