Dëmtohet tabela e klubit “Car Borisi III”, policia punon për zbardhjen e rastit

Është dëmtuar pjesa e tabelës në të cilën është shkruar emri i klubit të sapohapur kulturor bullgar “Car Borisi i Tretë” në Ohër. Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i SPB-së së Ohrit, Stefan Dimovski, i cili thotë se denoncimin e kanë marrë rreth orës 12:45. Ekipet e SPB-së Ohër kanë kontrolluar vendin e ngjarjes dhe po punohet për zbardhjen e rastit, thotë Dimovski. Klubi kulturor bullgar “Car Boris i Treti” në Ohër është hapur pesë ditë më parë, ndërsa në ditën e hapjes para objektit u mbajt protesta e organizuar nga partia politike e Majta dhe e mbështetur nga VMRO-DPMNE. Qytetarët e revoltuar shprehën pakënaqësinë e tyre ndaj, siç thanë disa prej tyre, emrit të klubit. Kryetari i shoqatës “Car Borisi i Treti”, Tomë Bllazhevski, më pas deklaroi se shoqata është hapur një vit më parë, duke i respektuar të gjitha procedurat ligjore në vend.