Delja e zezë apo e zgjuara e Europës? Pse Suedia s’po përjeton valë të dytë pandemie

Suedia nuk ka përjetuar një valë të dytë pandemie deri më tani për shkak të imunitetit të krijuar dhe masave të qëndrueshme nga qeveria. Këtë thonë ekspertët britanikë, të cilët e krahasojnë me Britaninë që e kritikojnë për mënyrën se si po përballohet situata.

Sipas tyre, vendi skandinav është kthyer në pikë referimi gjatë pandemisë për shkak të rezistencës për të imponuar një bllokim kombëtar ashtu si fqinjët evropianë.

Anders Wallensten i cili është epidemiolog, thotë se Suedia ka krijuar imunitet masiv për shkak të mënyrës së menaxhimit dhe për këtë arsye nuk ka rritje të rasteve si në Britani, Spanjë dhe Francë.

Megjithatë, ai thotë se autoritetet suedeze nuk kanë pasur për qëllim imunitetin e tufës. Sipas tij suedezët nuk janë lodhur nga ato pak masa kufizimi për shkak se kanë mbetur të njëjta gjatë gjithë pandemisë duke mos krijuar as konfuzion te qytetarët.

Ndërsa Gabriel Scally, epidemiolog në Britani thotë se Suedia arriti të bënte atë që Britania ende nuk po e bën.

Ndryshe nga vendet e tjera, Suedia nuk u izolua kur pandemia u përhap në pranverë në gjithë vendet e Evropës. Në vend të kësaj, u publikuan disa këshilla me fokus përgjegjësinë personale të qytetarëve.

Shumë prej lokaleve, shkollave, restoranteve dhe parukerive u mbajtën të hapura, por me rregulla distancimi.

Doktori kryesor në Suedi është Anders Tegnell, transmeton TiranaPost, i cili deklaroi se bota u çmend me izolimin.

Edhe pse ai vetë thotë se nuk kishte qëllim që masat suedeze të arrinin imunitetin, mediat e vendit thonë se ai ka insistuar për imunitetin e tufës dhe se ky duhet të ishte objektiv i autoriteteve shëndetësore suedeze që duhej arritur që në mars.

Në fakt, Suedia nuk ka mbingarkesë të sistemit shëndetësor.

A mund të jetë Suedia imune ndaj një valë të dytë? Kjo mbetet për t’u parë, por me gjasë nuk do konsiderohet më si delja e zezë!