Dehari: Situata në Kërçovë është stabile, nuk ka të infektuar, jemi të mendimit të kërkojmë që Kërçova të shpallet zonë e mbrojtur

Pas më shumë se një muaji që luftojmë me pandeminë e koronavirusit, Kërçova është një prej dhjetë qyteteve të vendit tonë që nuk ka asnjë të infektuar, thotë për MIA-n kryetari i Komunës Fatmir Dehari, i cili shton se në funksion të kësaj situate stabile kanë qenë masat e institucioneve relevante, por edhe vetëdija e qytetarëve, të cilët i respektojnë masat e atyre të trupit koordinator të Komunës. Nëse vazhdojmë të jemi në mesin e dhjetë komunave që nuk kanë të infektuar me koronavirus, unë jam i mendimit të kërkoj nga Qeveria që ta shpallë komunën e Kërçovës ‘zonë e mbrojtur’, që do të nënkuptojë kontrollin e rreptë të hyrjeve në komunën tonë nga komunat e tjera fqinje të natyrës parandaluese, kuptohet”, thotë Dehari.
Duke pasur parasysh se Qeveria mbetet në qëndrimin që të njëjtat masa të jenë në fuqi, të paktën deri tani për të gjithë në vend, Dehari theksoi se kjo është ideja e tij dhe nëse realizohet duhet të bëhet me kujdes dhe pastaj hap pas hapi të filloj jeta në Kërçovë, sepse, siç tha ai, kemi humbje ekonomike nga njëra anë dhe për fat të mirë nuk kemi qytetarë të infektuar, por përsëri do të vazhdojmë me konsultimet dhe ndërkohë do t’u përmbahemi rekomandimeve të Qeverisë. Ai informoi se Komuna e Kërçovës vazhdimisht dezinfekton rrugët kryesore të qytetit dhe vazhdon ta bëjë këtë dy herë në ditë, tani fillon dezinfektimin edhe në fshatra, pastaj institucionet lokale, por edhe ambientet e qendrës spitalore në Kërçovë.
Mësimi në distancë në shkolla në komunën e Kërçovës zhvillohet në mënyrë normale. Dehari thotë se për 40 nxënësit nga familjet në rrezik social, përmes një donacioni nga një operator telefonik, komuna do të ndajë mjetet e duhura teknologjike që do të mundësojnë mësimin në distancë.
Masa për kufizimin e lëvizjes gjatë ditëve të kaluara, siç njoftohet nga Sektori i Punëve të Brendshme të Ohrit, respektohet me pak përjashtime. Kërçova për herë të parë ndodh të shtunën të jetë tërësisht e zbrazët, sepse në kushte normale është ditë tregu në këtë komunë./MIA/