Debutoi me humbje, mbrojtësi i Spanjës justifikon disfatën në Skoci: Bari i fushës ishte i gjatë!

Spanja pësoi një disfatë të papritur në transfertë ndaj Skocisë në ndeshjet e Grupit A kualifikues për Euro 2024. Kombëtarja iberikase u mposht me shifrat 2-0 teksa në Hampden Park protagonisti kryesor ishte mesfushori i Manchester United, Scott McTominay që i shënoi të dy golat.

Ishte disfata e parë e Spanjës në thuajse 40 vite ndaj Skocisë teksa pas sfidës, lojtarët e trajnerit Luis De La Fuente u munduan të justifikonin rezultatin zhgënjyes. Një prej tyre ishte edhe David Garcia. Mbrojtësi që aktivizohet me Osasunën zhvilloi ndeshjen e parë me kombëtaren edhe pse në moshën 29-vjeçare. Garcia ia vendosi fajin barit në fushën e stadiumin Hampden Park duke theksuar se ai ishte më i gjatë seç duhej.

“Gjatësinë e barit ne e vumë re menjëherë sapo shkelëm në stadium dhe në fund rezultoi të ishte një nga arsyet e humbjes. Megjithatë, nuk dua të justifikohem, duhet të marrim përgjegjësitë dhe fajin ta gjejmë tek vetja. Duhet të shohim dhe të studiojmë se çfarë gabuam ndaj Skocisë. Më bëhet qejfi për debutimin me kombëtaren, por ishte një humbje e rëndë. Ata na goditën dy herë dhe shënuan. Duhet të mësojmë dhe të nxjerrim më të mirën nga kjo situatë”, u shpreh Garcia.