Lëvizja studentore, e cila ishte organizatore e protestave për provimin e jurisprudencës, sot në bashkëpunim me DemocracyLab, kanë organizuar debat publik me temë “(Mos)zbatimi i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve: Zgjidhjet dhe Pasojat”. Paneli ishte i përbërë nga profesorë universitarë si Mersim Maksuti, Vlona Pollozhani, Arta Mero dhe ish-ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, shkruan Portalb.mk.
Organizatori i protestave dhe studenti Mevlan Ademi, para të pranishmëve, tha se pavarësisht takimeve me liderët më të lartë shtetërorë dhe premtimeve për zgjidhje në një afat të shkurtër, kaluan muaj të tërë dhe zgjidhja nuk erdhi.
“Kur u shterën të gjitha rrugët institucionale, ne dolëm në rrugë për të kërkuar drejtësi, jo kundër shtetit, por duke i kërkuar shtetit të zbatojë ligjet e veta. Ne nuk kërkojmë privilegje, por drejtësi. Prandaj do të vazhdojmë të qëndrojmë stoikë në kërkesën tonë. Nuk pranojmë kompromise dhe zgjidhje gjysmake. Gjërat me të cilat po përballemi ne sot janë të njëjtat me të cilat janë përballur edhe prindërit tanë. Prandaj, ne nuk do të heqim dorë nga rruga jonë”, u shpreh Ademi.
Sefer Selimi, kryetar i DemocracyLab, para të pranishmëve tha se përveç këtij bashkëorganizimi me studentët, synojnë të krijojnë edhe një platformë ku ekspertët mund të paraqesin argumentet ligjore dhe pikëpamjet e tyre për këtë çështje.
“Ne duam të shohim një Maqedoni të Veriut ku ligjet zbatohen në tërësi dhe jo në mënyrë selektive. Një shtet ku Qeveria angazhohet për realizimin e të drejtave të të gjithë qytetarëve të saj, jo një sistem që vihet në funksion të kufizimit të këtyre të drejtave”, u shpreh Selimi.
Ai më tej tha se kjo betejë nuk duhet të shihet si përplasje mes partive politike, por si e drejtë themelore e qytetarëve.
Nga ana tjetër, profesori universitar Mersim Maksuti, tha se zhurma që po bëhet është e panevojshme, pasi Ligji për Përdorimin e Gjuhëve është i qartë dhe vetëm duhet të zbatohet.
“Kushtetuta e thotë qartë se gjuha shqipe është gjuhë zyrtare në vend, përkatësisht gjuha që e flasin së paku 20 për qind e popullsisë dhe që është e ndryshme nga gjuha maqedonase. Gjuha shqipe është e barabartë me gjuhën maqedonase, përveç në komunikimin ndërkombëtar. Në të gjitha aspektet e tjera ajo është gjuhë zyrtare. Ligji për Përdorimin e Gjuhëve ka bazë të fortë juridike dhe nga dispozitat e tij nuk duhet të hiqet asnjë nen. Iniciativa nuk është kundër një dispozite të vetme, por kundër më shumë dispozitave. Megjithatë, mjafton të preken disa prej tyre që ligji ta humbasë efektin e tij. Bashkimi Evropian pret që zgjidhja të vijë nga ne; ata nuk imponojnë zgjidhje, por mbështesin parimin që ajo të burojnë nga vetë institucionet dhe shoqëria jonë”, u shpreh Maksuti.
Profesoresha universitare Vlona Pollozhani, foli për Ligjin për përdorimin e Gjuhëve dhe dispozitat që ai parasheh. Ajo theksoi se ky ligj përbën një tërësi dhe një arkitekturë të plotë të dygjuhësisë institucionale. Sipas saj, Ligji për Përdorimin e Gjuhëve, i miratuar në vitin 2018 dhe që hyri në fuqi në vitin 2019, është një ligj operacional që garanton të drejta konkrete dhe përcakton obligime të qarta për institucionet. Pollozhani tha se ligji, përveçse garanton përdorimin e gjuhës shqipe në procedura ligjore, seanca dhe procese të tjera zyrtare, siguron edhe zbatimin e dygjuhësisë në institucionet shtetërore. Po ashtu, ai parasheh masa ndëshkuese për institucionet që nuk e zbatojnë ligjin, përmes mekanizmave mbikëqyrës të Inspektoratit.
“Konkretisht për provimin e jurisprudencës janë të rëndësishëm nenet 1, 2, 6 dhe 23. Këto dispozita përfshijnë të gjitha institucionet shtetërore, si ministritë, entet, agjencitë, komisionet dhe organet publike që ushtrojnë autorizime publike. Këtu, pa asnjë dilemë, bën pjesë edhe Ministria e Drejtësisë. Neni 2 parasheh përdorimin e gjuhës shqipe në procedurat administrative, ku përfshihet edhe provimi i jurisprudencës. Refuzimi i përdorimit të gjuhës shqipe në fazën përfundimtare të një provimi profesional është absurd dhe përbën një shkëputje logjike nga i gjithë zinxhiri i sistemit”, tha ajo.
Profesoresha Arta Mero, tha se iniciativa e parë ka nisur nga Fakulteti Juridik i UEJL-së, ku studentët nuk kërkojnë asgjë të jashtëzakonshme.
“Ky diskurs publik, i cili po zhvillohet në opinionin më të gjerë, është iniciuar nga studentët. Nuk bëhet fjalë vetëm për moszbatimin e këtij ligji, por edhe për shkeljen e disa parimeve themelore, siç janë parimi i barazisë, qasja e lirë në profesion dhe ndalimi i diskriminimit. Kjo qasje me standarde të dyfishta ua pamundëson studentëve hyrjen në tregun e punës dhe ushtrimin e profesionit të tyre. Është krijuar një mjegull në opinionin publik, sipas së cilës studentët shqiptarë nuk e dinë gjuhën maqedonase, gjë që nuk është e vërtetë”, deklaroi Mero.
Mero shtoi se nëse nuk pranohen kërkesat e studentëve, ata mund t’i ndjekin ato edhe përmes rrugëve të tjera juridike, duke u thirrur edhe në nenin 14 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, që ndalon diskriminimin.
Ish-ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, tha se me ardhjen e tij në Ministrinë e Drejtësisë, gjithçka ka funksionuar në dy gjuhë, duke filluar nga mbishkrimet në hyrje të institucionit.
“Nuk ka pasur asnjë rast që të kalojë ndonjë shkresë vetëm në gjuhën maqedonase. Ne punësuam menjëherë disa përkthyes dhe disa të tjerë i morëm nga Agjencia për Zbatimin e Gjuhëve, duke plotësuar kështu nevojat tona. Por zbatimi i ligjit duhet të vijë natyrshëm dhe të kërkojë një konsensus më të gjerë, në mënyrë që të mos shkaktojë mosdëgjueshmëri. Vetë ligji për Përdorimin e Gjuhëve parasheh programe nga ana e Qeverisë për sensibilizimin e qytetarëve, me qëllim që ai të zbatohet sa më mirë. Çdo grup pune i formuar nga ne ka pasur profesorë universitarë dhe përfaqësues të organizatave joqeveritare”, u shpreh Lloga.
Ai tha se sot ekziston refuzim i përdorimit të gjuhës shqipe nga udhëheqës të institucioneve ku zakonisht drejtuesit janë maqedonas, siç janë Komuna e Butelit, Komuna e Gazi Babës dhe institucione të tjera. Sipas tij, në institucionet ku drejtojnë shqiptarët nuk vërehet një mosrespektim i tillë i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve.
“Ky ligj u refuzua edhe nga presidenti i atëhershëm i shtetit, i cili njëkohësisht kishte qenë profesor në Fakultetin Juridik. Ai kishte të drejtë ta refuzonte një herë nënshkrimin e dekretit, por jo dy herë. Megjithatë, nuk pati asnjë masë ndaj ish-presidentit. Në vende me standarde të konsoliduara demokratike, ai do të duhej të shkarkohej”, u theksoi Lloga.
Më pas debati vazhdoi mes të pranishmëve dhe panelistëve, ku studentët patën mundësinë t’u drejtonin pyetje panelistëve dhe të shprehnin shqetësimet e tyre.
Ndryshe, çështja e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe për të cilën Portalb alarmoi që në nëntor 2024, bëri bujë nga janari i këtij viti, pasi rreth 400 studentë shqiptarë nga tre fakultete të juridikut (UT, UEJL, UNT) në Maqedoninë e Veriut përmes një peticioni kërkuan nga institucionet që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në gjuhën shqipe, në gjuhën në të cilën i kryejnë studimet, pasi siç thonë, u takon me ligj. Pastaj studentët dolën në protestë dy herë.
Kujtojmë se Propozim-ligj i cili do të mundësonte dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe ishte gati në vitin 2024 nga Ministria e Drejtësisë, por me ndryshimin e përbërjes parlamentare dhe qeverisë së re, e njëjta u hoq nga agjenda e kuvendit dhe s’u përmend fare nga qeveria aktuale. Ligji për Zbatimin e Gjuhëve ka hyrë në fuqi në vitin 2019, nga atëherë janë ndërruar katër ministra të drejtësisë, edhe atë Bojan Mariçiq, Nikolla Tupançevski, Krenar Lloga dhe aktualisht është Igor Filkov. Në vitet paraprake edhe kur s’ka pasur ministër shqiptar, zëvendësi ka qenë i përkatësisë shqiptare.



